Transmetuar më 21-01-2025, 11:25

TIRANË – Një banesë e përshtatur për përgatitjen e dozave të kanabisit është zbuluar nga Policia në Tiranë dhe si rezultat është vënë në pranga një 23-vjeçar dhe është shpallur në kërkim një tjetër. Policia bën me dije se 23-vjeçari në bashkëpunim me personin e shpalur në kërkim siguronin lëndë narkotike e përgatisnin në doza brenda banesës dhe më pas e shisnin në lagjet e Tiranës.

Gjatë kontrollit në banesë policia ka gjetur dhe sekuestruar 5 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis dhe 2 pershore elektronike. Ndërkohë po në kuadër të këtij operacioni është arrestuar një 24-vjeçar turk pasi u kap në flagrancë me një sasi lënde narkotike kanabis që dyshohet se ia kishte blerë 23-vjeçarit.

Njoftimi i Policisë:

Zbulohet një banesë e përshtatur për përgatitjen e dozave të kanabisit. Sekuestrohen 5 kg lëndë narkotike kanabis dhe 2 peshore elektronike.

Vihet në pranga një 23-vjeçar, shpallet në kërkim 1 shtetas tjetër, bashkëpunëtorë për përgatitjen dhe shitjen e dozave të kanabisit.

Vihet në pranga dhe një shtetas turk, të cilit iu gjet një sasi lënde narkotike kanabis që dyshohet se ia kishte blerë 23-vjeçarit.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Collaboration 1”.

Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi S. H., 23 vjeç, banues në Tiranë dhe u shpall në kërkim shtetasi Xh. B. Nga veprimet hetimore dyshohet se këta bashkëpunonin për sigurimin e lëndës narkotike, ndarjen e saj në doza dhe shitjen e tyre në qytetin e Tiranës.

Gjatë kontrollit në banesën e marrë me qira nga shtetasi Xh. B., shërbimet e Policisë kanë gjetur 5 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis dhe 2 pershore elektronike, që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni, u arrestua shtetasi B. S., 24 vjeç, banues në Turqi, pasi u kap në flagrancë me një sasi lënde narkotike kanabis që dyshohet se ia kishte blerë 23-vjeçarit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit