Transmetuar më 17-01-2025, 18:02

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) në rajonin Elbasan-Korçë ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal ndaj punonjësit të policisë, Nënkomisar G. C., 31 vjeç, specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Gramsh.

Masa e sigurimit përfshin “Ndalimin e daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj Nënkomisarit, i dyshuar për veprën penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”.

Hetimet e kryera nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore kanë grumbulluar fakte dhe prova të mjaftueshme që krijojnë dyshimin se ky punonjës i policisë ka shpërdoruar detyrën duke vjedhur sendet personale të një shtetasi të ndaluar/arrestuar.

Ky vendim i gjykatës dhe veprimet e AMP janë pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për të siguruar profesionalizmin dhe transparencën në radhët e policisë, si dhe për të garantuar respektimin e ligjit dhe të drejtave të qytetarëve.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit