Transmetuar më 16-01-2025, 08:23

Me disa orë vonesë, por tashmë gjithçka është gati. Randal Kolo Muani ka zbritur në aeroportin e Caselle në Torino dhe është gati të nisë aventurën e tij të re me fanellën e Juventusit.

Sulmuesi francez kalon te "Zonja e Vjetër" nga PSG me formulën e huazimit të thjeshtë deri në fund të sezonit. Në fund të këtij sezoni, dy klubet pritet të ulen sërish në tryezën e negociatave për të diskutuar mbi të ardhmen e lojtarit, duke vlerësuar performancën e tij në këtë fazë të dytë të kampionatit në Serie A.

Lojtari u prit në aeroport nga përfaqësues të Juventusit dhe, ndryshe nga sa ishte raportuar më parë, vizitat mjekësore në “J Medical” do të zhvillohen të enjten paradite. Pas përfundimit të kontrolleve mjekësore, Kolo Muani do të mund të firmosë kontratën e tij të re dhe të vihet menjëherë në dispozicion të trajnerit Thiago Motta.

Ndërkohë, Juventusi ka bërë të ditur edhe një tjetër transferim. Mbrojtësi Alberto Costa ka ardhur nga Vitoria Guimaraes. Klubi bardhezi njoftoi zyrtarisht marrëveshjen me një deklaratë të shkurtër: "Juventusi njofton ardhjen e Alberto Costa, një mbrojtës i ri portugez i datëlindjes 2003, i gatshëm të sjellë grintë dhe cilësi në repartin mbrojtës bardhezi. Lojtari ka nënshkruar me Juventusin deri më 30 qershor 2029".

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit