

Një kthesë e papritur mund të ndodhë sa i përket transferimit të Noah Okafor nga Milani te Leipzigu. Lojtari zviceran, vetëm pak orë më parë kishte fluturuar drejt Gjermanisë, pasi e kishte përshëndetur botën kuqezi me këto fjalë:
“Në jetë nuk i dihet kurrë, ndoshta do të shihemi sërish. Për mua kjo ishte zgjedhja më e mirë. Faleminderit tifozëve të Milanit, po largohem nga një klub që do të mbetet gjithmonë në zemrën time”.
Megjithatë, sipas edicionit gjerman të “Sky Sport”, ky operacion merkatoje është në rrezik të madh. Madje, sipas këtij burimi, marrëveshja ka dështuar përfundimisht, pas kontrolleve mjekësore të sulmuesit në klubin e “Red Bull”.
Arsyeja është se gjatë testeve mjekësore, te lojtari zviceran janë konstatuar disa probleme fizike që nuk do t’i lejonin të ishte menjëherë i gatshëm për të luajtur. Kjo situatë, siç duket, ishte një kusht thelbësor për Leipzig, i cili ka vendosur ta anulojë transferimin dhe ta ndërpresë përfundimisht operacionin.
Kujtojmë se në javët e fundit, Okafor kishte mbetur jashtë grupit të Milanit për shkak të një problemi muskulor në pulpë. Në këtë pikë, nëse versioni i dhënë nga “Sky Sport” konfirmohet, lojtari zviceran do të jetë i detyruar të kthehet te Milani, duke pritur ndoshta një mundësi të re për transferim.
Ndërkohë, Milani mund të detyrohet të shtyjë negociatat për Marcus Rashford, pasi sulmuesi anglez do të vinte pikërisht në vend të ish-lojtarit të Salzburgut.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






