

Finalja e Superkupës Spanjolle, e humbur me rezultatin 5-2 kundër Barcelonës, ka nxjerrë në pah të gjitha dobësitë e “Los Blancos”, të cilët sezonin e kaluar fituan Champions League, La Liga-n dhe Superkupën. Një "shuplakë" e rëndë, ashtu si në “El Clásico” e kampionatit (4-0 në “Bernabeu”), e cila tani po bën që i gjithë Real Madridi të reflektojë.
Jorge Valdano, legjenda e merenguesve theksoi në “Movistar +” ngjashmëritë dhe dallimet midis dy ndeshjeve: "Diferenca kaq e madhe midis dy fitoreve të Barçës kundër Real Madridit në këtë sezon është e pabesueshme. Në kampionat, vendimtare ishin pozicionet jashtë loje, plot 12 të tilla. Këtë herë jo, por diferenca në rezultat ishte e ngjashme. Dy humbje krejtësisht të qarta".
Ndërkohë, sondazhi i gazetës “Marca” deri mbrëmë ishte i qartë. Kush mban më shumë faj për humbjen në Superkupën e Spanjës? Kjo ishte pyetja e gazetës së njohur sportive madrilene. Nga mbi 84 mijë votues, 59% fajësonin Ancelottin, sepse “plani i tij dhe skuadra nuk funksionuan”. Për 27%, faji ishte i lojtarëve për paraqitjet e tyre të dobëta, ndërsa 14% shihnin përgjegjës Florentino Perez, sepse skuadra nuk është mjaftueshëm cilësore.
Mund të humbasësh ndaj Barcelonës, por të mposhtesh 5-2 prej saj dhemb shumë. Sidomos meqë në fund të tetorit, në “Bernabeu”, Real Madridi kishte pësuar një humbje poshtëruese 4-0 ndaj katalanasve. Pa harruar edhe miqësoren e verës në New Jersey, një tjetër humbje 2-1. Për më tepër, është hera e parë në histori që blaugranat shënojnë të paktën nga 4 gola në dy “El Clasico” radhazi. Në thelb, ndjenja e pafuqisë e bëri dramatike sfidën e fundit në Jeddah.
Problemi, siç e përkufizon “Marca”, është “Kroositisi”. Largimi i Kroos këtë verë ka lënë një boshllëk të madh në mesfushë. Modric është 39 vjeç, ndaj kush mund të luajë si ‘regjisor’ i skuadrës së bardhë? Në verë, të gjithë u mahnitën nga ardhja e Mbappé, i cili ishte i vetmi lojtar për t’u lavdëruar ndaj Barcelonës të dielën, por mungonte “cerebro”, mendja që kontrollon lojën.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






