

Carlo Ancelotti pranoi hapur zhgënjimin e madh pas humbjes së thellë 5-2 të Real Madridit ndaj Barcelonës në finalen e Superkupës së Spanjës. Ai kritikoi ashpër performancën e ekipit të tij, duke theksuar problemet në qasjen taktike dhe lojën e dobët në fushë.
Ancelotti u shpreh se ekipi i tij nuk arriti të luante futboll në pjesën e parë, duke përdorur shumë topa të gjatë dhe shmangur qasjen e planifikuar në stërvitjen para kësaj finaleje: "Në pjesën e parë nuk kemi luajtur futboll. Kemi gjuajtur topa të gjatë dhe kjo nuk ishte ideja ime si trajner. Ideja ishte të luanim, por nuk e bëmë".
Trajneri pranoi se Real Madridi nuk mbrojti mirë dhe dështoi si në presionin e lartë, ashtu edhe në vendosjen në bllok të ulët: "Kemi mbrojtur keq dhe kjo na penalizoi në ndeshje. Ata shënuan gola shumë lehtësisht, ndërsa ne nuk bëmë presion as lart, as në mbrojtjen e ulët".
Ancelotti theksoi se është normale të humbësh ndonjëherë, por jo në mënyrën si ndodhi në këtë ndeshje: "Iu thashë lojtarëve që mund të humbasësh, por jo në mënyrën si luajtëm ne në pjesën e parë".
Trajneri italian vlerësoi paraqitjen e Mbappé, duke e cilësuar lojtarin më të mirë të Real Madridit në këtë ndeshje. Përkundër humbjes, ai u përpoq të ruante optimizmin: "Kjo ishte një natë shumë e trishtuar. Është një zhgënjim i madh, por ky është futbolli. Ndonjëherë fiton dhe ndonjëherë humbet. Duhet të mësojmë nga kjo humbje dhe të shohim përpara".
Në përfundim, Ancelotti kërkoi përqendrim më të madh nga ekipi dhe angazhim për të minimizuar gabimet: "Kjo humbje duhet të na bëjë të mësojmë shumë. Tani duhet të përmirësohemi dhe të bëhemi më të fortë si ekip".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






