

Superkupa e Spanjës i takon Barcelonës. Një fitore e madhe 2-5 ndaj Real Madrid në finale, në një sfidë spektakolare në Arabinë Saudite.
Los Blancos e nisën me “marshin e pestë” takimin, teksa Kylian Mbappe realizoi me finesë. Një e majtë tokazi e Lamine Yamal solli golin e barazimit, në minutën e 22-të.
Në minutën e 33-të, Camavinga ndërhyn ndaj Gavit, teksa u akordua penallti për të besuarit e Flick, vetëm pas rishikimit me VAR të rastit. Nga pika e bardhë u nis Lewandowski, i cili nuk fali.
Pasi përmbysi rezultatin, Barça mori zemër dhe shënoi edhe të 3-tin me Raphinhan. Brenda pjesës së parë, Balde thelloi shifrat edhe më shumë. Në fillimin e pjesës së dytë, Raphinha kompletoi dopietën personale.
Barcelona mbeti me një lojtar më pak në të 56-tën, pasi Szczesny u ndëshkua me karton të kuq, për një ndërhyrje ndaj Mbappe-së.
Ekipi i Ancelottit “tundi rrjetën” me Rodrygon duke dhënë sinjale shprese, por gjithsesi pa i ndërruar dot udhë fatit të takimit.
Barcelona fiton kështu këtë trofe, që shijon shumë, pasi vjen në një “El Classico”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






