

MALI I TOMORRIT- Shërbimet e Qarkullimit Rrugor kanë ndërhyrë në ndihmë të një familjeje që kishte mbetur e bllokuar në rrugën që çon në malin e Tomorit, pasi automjeti me të cilin po udhëtonin nuk mund të vazhdonte lëvizjen për shkak të reshjeve të dendura të dëborës.
Bëhet me dije se gjatë patrullimit në aksin rrugor Poliçan-Mali i Tomorit, shërbimet e Qarkullimit Rrugor konstatuan një automjet të ndaluar me 5 persona brenda, përfshirë dy fëmijë. Familja nga Berati, kishte udhëtuar drejt malit të Tomorit, por gjatë kthimit, automjeti kishte xhiruar për shkak të borës dhe kishte pësuar dëmtime në goma, duke e bërë të pamundur lëvizjen drejt qytetit.
Mësohet se shërbimi i Qarkullimit Rrugor transportoi familjen me automjetin e tyre deri në banesë, duke siguruar kështu rikthimin e sigurt.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






