Jonathan Tah vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes, mes spekulimeve për të ardhmen e tij dhe deklaratave që ndezin diskutimet. Kontrata e mbrojtësit qendror të Bayer Leverkusen përfundon në fund të sezonit, ndaj emri i tij po lidhet vazhdimisht me Barcelonën, e cila e sheh si një përforcim ideal për mbrojtjen.
Megjithatë, nuk mungojnë zërat për një transferim të mundshëm te Real Madridi, ku luan miku dhe shoku i tij i kombëtares, Antonio Rüdiger. Në një intervistë për “Goal”, Tah nuk pranoi të flasë për të ardhmen e tij, por shtoi se i vlerëson "lojërat me nervat" e kolegut të tij Rüdiger, i cili është i njohur për aftësinë e destabilizimit të kundërshtarëve:
“Gjithmonë ka gjëra për të mësuar. I vëzhgoj shumë kolegë për të parë se çfarë mund të bëj më mirë. Kur shoh Rüdiger dhe lojërat e tij me nervat e kundërshtarit, i vlerësoj. Janë një pengesë e madhe për çdo kundërshtar. Këto janë aspekte që mund t’i përshtas edhe unë në lojën time”.
Tah gjithashtu theksoi rëndësinë e këtyre strategjive psikologjike, duke shpjeguar sesi Rüdiger i përdor ato për të larguar vëmendjen e sulmuesve: “Nuk e imitoj, por e kuptoj sa të bezdisshme janë për një sulmues, kur ke dikë që të ndjek nga afër ose që të thotë diçka në vesh.
Toni e bën këtë në mënyrë të përsosur. Natyrisht, fillon t’i sjellësh këto elemente në lojën tënde. Nuk është se e kopjon, por kupton ndikimin e tyre dhe mendon: Ndoshta mund të bëj më shumë edhe unë”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd