“Dyer të hapura për nxënësit dhe qytetarët” – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, priti dhe bisedoi me nxënësit për sigurinë në shkolla, sigurinë kibernetike dhe sigurinë rrugore.
Drejtori Proda u shpjegoi nxënësve rëndësinë dhe funksionet shumëdimensionalë të punonjësve të Policisë në shoqëri.
“Akademia e Sigurisë ofron mundësi të artë për maturantët që dëshirojnë të bashkohen me Policinë e Shtetit, duke i dhënë një mision të veçantë të ardhmes së tyre", tha Proda.
Gjatë vizitës në DPPSh, nxënësit shfaqën kuriozitet dhe drejtuan pyetje mbi mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Policisë së Shtetit.
Ata u ndalën te drejtimet që lidhen me hetimin e krimeve kibernetike, teknologjinë e informacionit, komandimin dhe drejtimin, sigurinë rrugore, si dhe marrëdhënien me median dhe qytetarët.
Drejtuesit e këtyre strukturave shoqëruan nxënësit gjatë vizitës dhe iu përgjigjën me kënaqësi pyetjeve të tyre.
Aktivitete të tilla, të organizuara në kuadër të 112-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit, janë zhvilluar në të gjitha drejtoritë e Policisë në 12 qarqet e vendit. Vizitorët specialë u mirëpritën nga Drejtorët e Drejtorive dhe sektorëve të ndryshëm në qarqe.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd