

Ndërsa e fitoi betejën për regjistrimin e Dani Olmos dhe Pau Víctor, drejtuesit e Barcelonës po kërkojnë burime alternative të ardhurash, duke nxjerrë në ankand disa objekte historike të klubit.
Sipas një komunikate zyrtare nga klubi, kjo nismë është pjesë e planit për “memorabilia” të stadiumit “Camp Nou”, i cili po kalon fazën e fundit të punimeve të rikualifikimit. Objektet do të nxirren në shitje nga shtëpia e ankandit “Goldin”, duke filluar nga 23 janari në orën 10:00 dhe përfunduar më 13 shkurt në orën 04:00.

Ankandi, i hapur për të gjithë, do të përfshijë dollapët e përdorur nga lojtarët ndër vite, pikat e penalltive, flamujt e goditjeve nga këndi dhe stemat e klubit të vendosura para pankinave. Po ashtu, do të jenë në dispozicion fotografitë e skuadrave që kanë fituar pesë Champions League (1991-92, 2005-06, 2008-09, 2010-11, 2014-15), të cilat ishin të ekspozuara në dhomat e zhveshjes dhe tunelin e stadiumit. Në total, vetëm nga vlerat fillestare të ankandit, të gjitha objektet vlejnë rreth 1 milion euro.
Ndonjë referencë objektesh për shitje? Për të fituar dollapin e Messit, baza e ankandit është 350.000 dollarë. Për të tjerët, çmimet fillestare variojnë nga 100.000 dollarë (për dollapët e Maradonës, Guardiolës, Piqués dhe Ronaldinhos) deri në 2.500 dollarë për atë të përdorur nga Dembélé, tashmë te PSG. Pikat e penalltive kanë një vlerë minimale prej 5.000 dollarësh secila, ndërsa katër flamujt e këndit fillojnë nga 2.000 dollarë secili.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






