Shisnin lëndë narkotike në lokale nate dhe në lagje të qytetit të Shijakut, arrestohet në flagrancë një 20-vjeçar, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij, një 26-vjeçar, i cili kishte thyer masën e sigurisë "Arrest në shtëpi", për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Në banesën e 26-vjeçarit, Policia gjeti qindra doza lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa, një pjesë në formë boçeje në përpunim për ta ndarë në doza.
Sekuestrohen lënda narkotike, 1 peshore elektronike, 1 automjet dhe 3 celularë.
Pas një hetimi të kryer me metoda speciale, për 4 javë, për një rast të shitjes së lëndëve narkotike, Sektori për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shijak, ka finalizuar operacionin policor të koduar "Repeater".
Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi Antonio Spahiu 20 vjeç, banues në Shijak dhe u shpall në kërkim shtetasi Fabion Masha 26 vjeç, banues në Shijak, aktualisht me masë sigurie "Arrest në shtëpi", për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, pasi dyshohet se bashkëpunonin për shitjen e dozave të kanabisit, në Shijak.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd