Ka përfunduar marrja në pyetje e ish-Presidentit të vendit Ilir Meta, i cili u paraqit në SPAK rreth orës 11:00 të ditës së sotme.
Avokati i tij, Genc Gjokutaj ka dhënë detaje në lidhje me atë që ndodhi në seancë. Sipas Gjokutajt, Meta u tregua bashkëpunues dhe ditën e sotme u pyet vetëm në lidhje me çështjen e lobimit në SHBA.
"Sot është pyetur për sa i përket lobimit në Amerikë. Meta ka qenë bashkëpunues për aq sa mbante mend. Sot procesverbali u firmos dhe seanca u realizua. Sot ishte vetëm prokurori Sotir Kllapi me oficerin e policisë gjyqësore. Seanca e sotme ishte e dedikuar në pyetjet për lobimin dhe vetëm për këtë episod, pra çështjen e lobimit", tha Gjokutaj.
Dëshmia e Ilir Metës në SPAK zgjati rreth 2 orë. Presidenti i PL-së dërgua në ambjentet e Prokurorisë së Posaçme nga qelia 313 me anë të tunelit që lidh burgun me SPAK.
Ish-presidenti u arrestua në 21 tetor të 2024 dhe ndodhet në qeli nën masën e sigurimit personal “arrest në burg”.
Ai u arrestua me urdhër të SPAK nën dyshimet për “korrupsion, pastrim parash, mosdeklarim dhe fshehje të pasurisë”.
Hetimet ndaj Metës nisën në vitin 2019 në lidhje me aferën e njohur si ÇEZ-DIA, që lidhet me privatizimin e ndërmarrjes së shpërndarjes së energjisë dhe mbledhjen e borxheve të mbetura.
Tre vjet më vonë është hapur një tjetër rast, pas një kallëzimi për pagesa në vlerë të mijëra eurove të padeklaruara nga partia e drejtuar nga Meta, për lobim në Shtetet e Bashkuara.
Dy rastet, më pas, janë shkrirë në një të vetëm më 2024.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd