Transmetuar më 07-01-2025, 12:23

Fabio Capello, një nga trajnerët më të suksesshëm në historinë e futbollit italian, ka folur për “Radio Anch’io Sport”, duke komentuar disa tema aktuale, përfshirë shkarkimin e Paulo Fonseca nga Milani dhe rolin e trajnerëve me përvojë si Claudio Ranieri.

Për Ranieri: "Ai është një person me përvojë, që po iu jep këshilla të gjithëve. Ranieri dëgjohet dhe pranohet nga lojtarët sepse di të prekë telat e duhur. Është njeriu i përshtatshëm për ta rikthyer qetësinë në skuadër, te lojtarët dhe tifozët e Romës. Po tregon se kupton shumë nga futbolli, rezultatet janë pasojë logjike.

Nuk është mosha që duhet kritikuar. Shpesh thuhet se një trajner është ‘i djegur’ kur arrin një moshë të caktuar. Thonin edhe se Ancelotti ishte ‘i djegur’, por tani po fiton gjithçka me Realin. Thoshin se Ranieri ishte ‘i djegur’, por po bën shumë mirë te Roma. Eksperienca është një cilësi e rëndësishme".

Për largimin e Fonseca: "Kur emëron një trajner, mendon gjithmonë se ke bërë zgjedhjen e duhur. Në rastin konkret nuk kishte harmoni midis tij dhe skuadrës. Pamë gjëra që nuk ishin parë kurrë te Milani. Kontrasti midis trajnerit dhe lojtarëve ishte i dukshëm që në fillim".

A nevojiten trajnerë ‘të hekurt’ për disa skuadra: "Nuk e konsideroj veten një trajner ‘të hekurt’, është thjesht etiketë. Gjithmonë kam kërkuar respekt për të gjithë ata që punonin me mua, për tifozët dhe klubin. Pa respekt, nuk mund të ecësh përpara. Lojtarët e gjykojnë punën e trajnerit çdo ditë. Është pikërisht përditshmëria, në të cilën trajneri e ndërton besueshmërinë e tij karshi grupit të lojtarëve".

Për Frattesi: "Ai po luan shumë pak tek Interi. Mund të kërkojë të largohet, sepse është një lojtar i shkëlqyer. Të qëndruarit në stol nuk i pëlqen askujt. Sidoqoftë, Frattesi është një djalë serioz, i aftë, gjithmonë i gatshëm. Kur hyn në fushë, nuk shfaq pakënaqësi apo nervozizëm. Kjo është shumë pozitive për ekipin. Interi, që synon shumë objektiva, ka nevojë edhe për Frattesi".

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit