Dy ditë më parë në Tiranë, ka ndodhur një incident i dhunshëm, ku 48 vjeçari, Adriatik Roshi u rrah nga një grup personash në një berberhane.
Si rezultat i operacionit të Policisë, janë arrestuar dy shtetas, ndërsa katër të tjerë janë shpallur në kërkim për këtë ngjarje.
Gjatë operacionit, janë sekuestruar dy armë, të cilat dyshohet se janë përdorur nga autorët e ngjarjes.
Gani Koçeku, 24 vjeç dhe Ledio Tusha, nip i biznesmenit Tur Koçeku, 31 vjeç, u arrestuan në flagrancë, ndërsa katër persona të tjerë janë shpallur në kërkim për përfshirje në këtë ngjarje.
Të arrestuar:
Gani Koçeku
Ledio Tusha, nipi i Tur Koçekut
Në kërkim:
Gëzim Koçeku
Ronald Koçeku
Dino (Abedin) Koçeku
Biznesmeni Luçiano Koçekun
Njoftimi i policisë:
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 3, operacioni policor i koduar “Details”.
Identifikohen 6 shtetasit që goditën me sende të forta, një 48-vjeçar, në një berberhane, 2 ditë më parë. Vihen në pranga 2 prej tyre, punohet për kapjen e 4 të tjerëve.
Sekuestrohen 1 armë zjarri pistoletë dhe 1 armë gjahu, që i posedonin këta shtetas, 2 automjete dhe disa veshje që kanë mbajtur autorët gjatë ngjarjes.
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen e rrethanave të një konflikti të ndodhur më datë 05.01.2025, si pasojë e të cilit u dëmtua më sende të forta shtetasi A. R., 48 vjeç, i cili vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, Komisariati i Policisë Nr. 3 ka finalizuar operacionin e koduar “Details”.
Si rezultat i këtij operacioni, u identifikuan dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit: G. K., 24 vjeç dhe L.T, 31 vjeç, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit R. K., L.(A.). K., G. K. dhe D.(A.). K.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 05.01.2025, në një berberhane, në rrugën “29 Nëntori”, kanë goditur me sende të forta, dyshohet për motive të dobëta, shtetasin A. R., 48 vjeç, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar:
1 armë zjarri pistoletë, me leje, që u gjet në banesën e shtetasit L. T.;
1 armë gjahu, që u gjet në banesën e shtetasit D. K.;
2 automjete që dyshohet se janë përdorur në këtë ngjarje;
Veshje që dyshohet se kanë mbajtur autorët gjatë ngjarjes, të cilat u gjetën në njërin prej këtyre automjeteve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd