Qytetarët shqiptarë pritet të kenë nga 1 shkurti 2025 e në vazhdim, çmime më të ulëta për energjinë elektrike që shpenzojnë.
Vendimi u paralajmërua nga qeveria gjatë vitit që lamë pas dhe aktualisht, është depozituar një kërkesë zyrtare për uljen e çmimit.
Kërkesa është dorëzuar nga Furnizuesi i Shërbimit Universal, degë e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike që është pjesë e Korporatës Elektroenergjitike shqiptare.
Enti Rregullator i Energjisë Elektrike është duke shqyrtuar kërkesën dhe çmimi i ri pritet të dalë pas mbledhjes së bordit në ditët në vazhdim.
Mësohet se ulja e çmimit do të bëhet vetëm për abonentët familjarë.
Aktualisht shqiptarët paguajnë 11.4 lekë për kilovat, ku 9.5 lekë është vlera të cilës i shtohet tvsh 20 për qind.
Burimet në ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjitisë bënë të ditur se bëhet fjalë për një ulje në kufijtë e 20 për qind, çka nënkupton heqjen e tvsh-së.
Ndryshimi vjen rreth 12 vjet pasi kryeministri Edi Rama hoqi fashat e çmimit që favorizonin familjet, sidomos ato të varfra.
Më 2021 Rama foli për shtrenjtim të çmimit të energjisë, por disa muaj më pas u tërhoq nga ai projekt.
Në Shqipëri, ndryshe nga vendet e tjera në Bashkimin Evropian, shitja e energjisë për familjarët është e centralizuar duke i lënë monopolin një kompanie, aktualisht shtetërore.
Kjo bën të pamundur konkurrencën dhe ofrimin e shërbimit më cilësor siç ndodh në fqinjët Greqi e Itali ku abonentët zgjedhin mes disa kompanive që japin oferta nga më nxitëset.
/noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd