Transmetuar më 06-01-2025, 14:20

TIRANA- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shtyrë për më 20 janar, në orën 13:30 seancën e shqyrtimit në themel të çështjes së inceneratorit të Tiranës. Bëhet me dije se seanca e sotme u shty për shkak të mosnjoftimit të një prej të pandehurve që jeton jashtë vendit.

Më 16 korrik 2024 Prokuroria e Posaçme ka reaguar zyrtarisht lidhur me hetimet për Inceneratorin e Tiranës. Në njoftim thuhej se ka nisur procedimi për kryerjen e veprave penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunimin e veçantë në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Sipas SPAK, grupi kriminal, pjesë e të cilit janë shqiptarë dhe të huaj, ka pastruar 20 milionë euro pasuri nga momenti i lidhjes së kontratës dhe në vazhdimësi. Më tej bëhet me dije se janë caktuar masat e sigurisë "arrest në burg" për Dashamir Ymeraj, Denisa Tollkuçi, Endrit Habilaj, Renardo Nallbani, Ilir Dedja dhe për 3 shtetas të huaj, Giusepe Ciaffaglione, Marc Lapat dhe Michael Druijts. Në krye të grupit kriminal, qëndrojnë shtetasit Klodian Zotaj dhe Mirel Mërtiri, ndaj të cilëve është proceduar më parë me caktim mase sigurimi “arrest në burg”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit