Policia e Beratit ka arrestuar ditën e sotme 46-vjeçarin që fshehu automjetin e dy vëllezërve, të cilët akuzohen se qëlluan ndaj dy shokëve Antonio Merkaj e Apostol Dhëmbi, më 2 janar.
Policia bën me dije se ka gjetur dhe sekuestruar makinën nga e cila qëlluan me armë zjarri dy vëllezërit.
Gjithashtu, në banesat e 2 vëllezërve, u gjet arma e zjarrit kallashnikov me të cilën dyshohet se u qëllua, si dhe disa fishekë të saj.
“Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore dhe procedurale, të kryera në drejtimin e prokurorit, menjëherë pas kësaj ngjarjeje, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVP Berat, në bashkëpunim me shërbimet e PKK Kakavije, vunë në pranga shtetasin E. D., 46 vjeç, banues në Berat, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se ky shtetas ka fshehur automjetin tip “Ford” nga i cili dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri, vëllezërit F. M. dhe M. M., në drejtim të shtetasve A. M. dhe A. Dh., të cilët lëviznin me këmbë, në lagjen “Donika Kastrioti”. Nga të shtënat nuk pati shtetas të dëmtuar.
Vijojnë kërkimet për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim F. M. dhe M. M., si dhe për dokumentimin e plotë të rrethanave të tjera të kësaj ngjarjeje”, njoftoi policia.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd