Mes personazheve të njohur të pranishëm në Riad, në Arabinë Saudite, për Superkupën e Italisë, ishte edhe ish-sulmuesi i njohur Christian Vieri, i cili u intervistua nga "Corriere della Sera": "Në letër mund të thuash se favorit për ta fituar finalen është Interi, por e kaluara në kampionat na tregon se ndeshjet e tilla nuk kanë një parashikim të sigurt. Derbi ofron gjithmonë motivim dhe energji që shkojnë përtej vlerës objektive të ekipeve".
Duke folur për Milanin, Vieri theksoi përmbysjen në gjysmëfinalen ndaj Juventusit: "Derisa erdhi minuta e 70-të, nuk pati ndeshje, por nuk jam shumë i surprizuar. Milani ka cilësi të mëdha në skuadër dhe është ‘gjallë’. Ky është elementi më i rëndësishëm për Conceição. Sergio është një mik i madh, një njeri i veçantë dhe argëtues. Ai kërkon shpejtësi, ritëm, intensitet dhe përkushtim të plotë. Nga të tijtë kërkon maksimumin, zero lehtësira për ata që nuk japin gjithçka".
Vieri e drejtoi analizën e tij edhe tek Interi: "Lautaro në krizë? Mos më bëni të qesh. Ka periudha kur topi nuk hyn dhe nuk ka asnjë arsye. Ai lufton, luan mirë dhe krijon mundësi. Mjafton një moment dhe do të zhbllokohet, në janar mund të shënojë 8-9 gola. Inzaghi ka gjithmonë ide të qarta, mbështetur nga drejtues të shkëlqyer. Po kështu, ka në dispozicion një skuadër fantastike. Ndonjëherë, megjithatë, zikaltrit shfaqen paksa të tepruar, gjë që ndodh tek ekipet e mëdha".
Në fund, Vieri komentoi kritikat për dy trajnerët që u eliminuan në gjysmëfinale, Thiago Motta të Juventusit dhe Gasperini të Atalantës: "Kam dëgjuar gjëra të tepruara, Thiago është në fillim të projektit dhe duhet të ketë durim. Cilësitë e tij si trajner janë të dukshme. Për Gasperini preferoj të mos komentoj, Atalanta e tij nuk diskutohet".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd