Në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, Stefano Pioli zbuloi fundin e aventurës së tij si trajner i Milanit. Trajneri italian ndau ndjesitë e tij për largimin dhe momentet vendimtare të karrierës në klubin kuqezi:
Rreth përfundimit të eksperiencës te Milani: "Ishte një përfundim natyral, por derbet e përshpejtuan këtë proces. Të humbisja 6 derbe radhazi ishte shumë e dhimbshme, sidomos dy ndeshjet e Champions-it. Ato humbje na ulën vlerën e një arritjeje të madhe: rikthimin në gjysmëfinalen e Champions League pas 16 vitesh”.
Për dëmtimet e shumta: “Tek Al-Nassr kam pasur vetëm një dëmtim të lehtë, të Talisca, që humbi vetëm një ndeshje. Metodat e punës janë të njëjta si vitin e kaluar".
Momenti i kthesës, Roma-Milan në “Europa League”: "Kur e kuptova që kishte marrë fund Aventura ime te Milani? Ishte një moment i qartë:, ndeshja e kthimit çerekfinaleve e ‘Europa League’, Roma-Milan, në ‘Olimpico’. Në ndeshjen e parë kishim humbur 1-0.
Në dhomat e zhveshjes, para ndeshjes, mbajta një fjalim emocional, një nga më të ndjerët në karrierën time. Isha i bindur që do kualifikoheshim, por skuadra nuk reagoi dhe bëri shumë pak në fushë. Aty kuptova se ajo që po jepja nuk mjaftonte më. Empatia kishte mbaruar”.
A ka ndonjë peng nga eksperienca me kuqezinjtë: “Asnjë. Për mua ekziston vetëm një mënyrë për ta vlerësuar një aventurë profesionale: të shohësh skuadrën si e gjete dhe si e le. Gjithçka që ndodh në mes, e mirë apo e keqe, është pjesë e rrugëtimit dhe duhet pranuar".
Për Theo Hernandez: "Ai është një djalë i mirë. Çdo trajner ka strategjitë e veta për të nxjerrë më të mirën nga lojtarët. Nuk ka pasur asnjë ditë te Milani ku të mos kisha nevojë ta motivoja atë. Sidoqoftë, më thoni një mbrojtës të majtë në botë që mund ta ndryshojë një ndeshje si ai. Më kanë kritikuar se përdorja vetëm ‘karotën’, por nuk është e vërtetë. ‘Shkopin’ nuk e përdorja kurrë publikisht".
Për Rafael Leao: "Sa herë e kritikojnë, harrohet realiteti. Ai është një djalë që rritet vazhdimisht, edhe këtë sezon. Jam i bindur se Rafa mund të bëhet shumë i forte. Nuk e di nëse do ta fitojë ‘Topin e Artë’, por mund të bëhet shumë më i fortë se tani. Kur shkonte në kombëtare, i thoja: Shiko gjithçka që bën CR7, pastaj më trego. Kthehej, më rrëfente dhe unë i thosha: E sheh? Bëje edhe ti!"
Për Tijjani Reijnders: "Moncada më tha: Hidhi një sy këtij djali. E kisha parë në një ndeshje të ‘Conference League’ kundër West Ham-it. Mbeta i mahnitur nga eleganca e tij dhe aftësia për t’i kaluar kundërshtarët pa dribluar. Po, bëra gjithçka për ta marrë.
Në fillim të kampionatit kishte dy raste për gol në çdo ndeshje. E shtyja vazhdimisht: Tijj, do të të nxjerr golat që ke brenda. Tani po i shfaq të gjitha, Fofana e ka plotësuar. Ne, pasi humbëm Krunic, patëm probleme".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd