MAQEDONI E VERIUT- Një aksident tragjik ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në rrugën Rashçe-Saraj në Maqedoninë e Veriut, ku një makinë me 5 persona ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në lumin Vardar.
Nga makina u nxorrën tre trupa të pajetë dhe një fëmijë 4 vjeç i cili fatmirësisht ishte i gjallë. Gjatë përmbysjes së makinës, i mituri ka fluturuar jashtë automjetit, dhe është gjetur nga kalimtarët e rastit dhe me ndërhyrjen e tyre është dërguar në spitalin ”8 shtatori” në Shkup.
Sipas drejtorit të Kirurgjisë së Fëmijëve në Shkup, Lazo Jovçeski, fëmija katërvjeçar është liruar nga ambientet e spitalit dhe ndodhet në shtëpi. Ndërkohë pasditen e sotme është gjetur edhe trupi i katërt i pajetë që ndodhej në automjet.
Të gjithë viktimat dhe fëmija i mitur ishin nga familja Arsllani e fshatit Gërçec të komunës së Sarajit. Siç raportojnë mediat vendase, në makinë ishte burri dhe gruaja e tij, njëra prej vajzave të tyre dhe nusja e djalit e ardhur nga Italia, si dhe fëmija që ka shpëtuar. Ata ishin nisur për një darkë familjare, ndërsa gjatë rrugës ka ndodhur tragjedia. Për aksidentin e rëndë ka reaguar edhe kryetari i partisë shqiptare BDI, Ali Ahmeti, i cili tha se dhimbjen e kësaj familje e “ndjejmë si tonën”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd