

Michail Antonio ka dërguar një mesazh për tifozët e klubit të Premier League pasi doli nga spitali, ndërsa vazhdon rikuperimin e tij. Ai pësoi një aksident të rëndë automobilistik në fillim të dhjetorit. "Gëzuar Vitin e Ri, së shpejti do të kthehem në fushë", – shkroi sulmuesi i West Ham-it përmes një mesazhi të publikuar nga klubi në faqen zyrtare dhe rrjetet sociale të lojtarit.
Sulmuesi 34-vjeçar xhamajkan iu nënshtrua një operacioni për fraktura në gjymtyrën e poshtme, pas një aksidenti jashtë Londrës, më 7 dhjetor. Ai pritet të përballet me një periudhë të gjatë rehabilitimi. Antonio deklaroi: "Këtij viti që po ikën e di saktësisht për çfarë i jam mirënjohës: që mbeta gjallë".
Ja mesazhi i plotë në rrjetet sociale i Antonio: "Çdo vit, në këtë periudhë, më pyesin për çfarë jam mirënjohës, dhe çdo vit është e vështirë të gjej fjalët e duhura. Por këtë vit e di saktësisht për çfarë jam mirënjohës: që jam gjallë. Kam kaluar kaq shumë vite duke e marrë jetën si të mirëqenë, duke bërë plane për të nesërmen, ose vitin tjetër, gjithmonë duke supozuar se e nesërmja ishte e garantuar.

Kam parë miq që kanë humbur jetën, kam parë të tjerë që kanë kaluar përvoja afër vdekjes. Madje edhe në ato momente nuk e kuptoja plotësisht sa e çmuar është jeta. Ajo që kam përjetuar së fundi më ka hapur sytë. Jeta është e brishtë dhe çdo moment i vetëm i saj ka rëndësi.
I jam jashtëzakonisht mirënjohës Zotit që më dha forcën për të vazhduar dhe më lejoi të jem ende këtu. Një falënderim i madh për mjekët, spitalin dhe të gjithë te West Ham: ekipi mjekësor, drejtuesit, stafi, shokët e ekipit dhe tifozët fantastikë. Nuk do t’ia kisha dalë pa ju. Për të dashurit e mi, që kanë qenë pranë meje: nuk mund ta shpreh dot sa të rëndësishëm jeni për mua.
Së fundi, për të gjithë komunitetin e futbollit: faleminderit për gjithë dashurinë dhe mbështetjen që më keni treguar. Ka pasur një kuptim të jashtëzakonshëm për mua. Ju dua të gjithëve dhe jam pafundësisht mirënjohës. Gëzuar Vitin e Ri dhe shihemi së shpejti në fushë".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






