Transmetuar më 01-01-2025, 20:56

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Cetinjës, ku të paktën shtatë persona kanë humbur jetën pas një konflikti që përfundoi me të shtëna fatale.

Mes të vrarëve, mediat malazeze raportojnë edhe për dy fëmijë. Ndërkohë që 4 persona kanë mbetur të plagosur dhe po marrin mjekim.

Sipas të dhënave fillestare të policisë, incidenti ndodhi në zonën e Bajices, në tavernën "Velestovo", pas një sherri që nisi si një përplasje fizike.

I dyshuari kryesor, Aco Martinoviq, raportohet të ketë hapur zjarr pas konfliktit, duke shkaktuar një tragjedi të rëndë.

Autori siç bëhet me dije, ka vrarë pronarin e tavernës dhe më pas ka vrarë edhe dy fëmijët e tij. Po ashtu ka vrarë katër persona të tjerë, të afërm të familjes së pronarit si dhe ka plagosur katër të tjerë.

Autoritetet janë në kërkim të tij, ndërsa situata mbetet kritike. Njësitë speciale të policisë janë vendosur në terren për të vënë situatën nën kontroll dhe për të arrestuar autorin e krimit.

Policia ka apeluar qytetarët e Cetinjës që të qëndrojnë të sigurt brenda banesave të tyre, ndërsa theksoi se ngjarja nuk lidhet me përplasje të grupeve të organizuara kriminale, por është një incident i izoluar.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj tragjedie vazhdojnë.

Sakaq, lidhur me këtë tragjedi qeveria ka shpallur 3 ditë zie dhe shumë aktivitete dhe koncerte të planifikuar për ditët e para të vitit janë anuluar.

Policia e Malit të Zi ka publikuar fotografinë e Aco Martinoviqit, të dyshuarit për një krim të rëndë në Cetinje, ku raportohet se ka vrarë të paktën shtatë persona, përfshirë edhe 2 fëmijë.

Sipas njoftimeve zyrtare, pas kryerjes së krimit në një ambient mikpritës, Martinoviq është larguar i armatosur nga vendngjarja.

Policia ka paralajmëruar publikun se i dyshuari është i armatosur dhe shumë i rrezikshëm, ndërsa operacionet për kapjen e tij janë në vazhdim.

Autoritetet kanë kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për çdo informacion që mund të ndihmojë në arrestimin e Martinoviqit, duke theksuar rëndësinë e shmangies së kontaktit të drejtpërdrejtë për shkak të rrezikshmërisë së lartë të tij. Hetimet për zbardhjen e motiveve dhe rrethanave të këtij krimi vazhdojnë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit