BRUKSEL- Rumania dhe Bullgaria janë bërë edhe zyrtarisht anëtare të plota të Zonës për lëvizje të lirë Schengen, duke iu bashkuar vendeve të Bashkimit Evropian, plus disa shteteve tjera, banorët e të cilave mund të lëvizin lirshëm pa kryer kontrolle të pasaportës.
Fishekzjarrët kanë shpërthyer në qiell në mesnatë në zonën kufitare bullgare, Ruse teksa ministrat e Brendshëm të Bullgarisë dhe Rumanisë i kanë hequr simbolikisht barrierat në Urën e Miqësisë mbi lumin Danub.
Kjo pikë kalimi është rrugë e madhe transiti për tregti ndërkombëtare.
“Ky është moment historik", ka thënë kryeministri bullgar, Dimitar Glavchev.
“Nga Greqia në jug, deri në Finlandë në veri, dhe gjithë rrugën për në Portugali, do të mund të udhëtohet pa kufij”.
Kontrollet në kufijtë detarë dhe ata ajrorë janë hequr qysh prej marsit të vitit 2024 për këto dy shtete, mirëpo kontrollet tokësore kanë vazhduar derisa Austria nuk ka hequr dorë nga një veto që e ka përdorur, meqë ka shprehur shqetësime për mundësinë e rritjes së migrimit të paligjshëm.
Kufijtë në mes të Francës, Gjermanisë, Belgjikës, Holandës dhe Luksemburgut, janë hequr më 1985. Zona Schengen tani mbulon 25 prej 27 vendeve anëtare të BE-së, si dhe Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë dhe Zvicrën.
Irlanda dhe Qiproja nuk janë anëtare të Zonës Schengen./ REL
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd