KAZAKISTAN- Një avion pasagjerësh i Azerbaijani Airlines, që u nis nga Bakuja për në Grozni të Rusisë, u rrëzua në perëndim të Kazakistanit, bëri të ditur Ministria e Transportit e Kazakistanit, këtë të mërkurë 25 dhjetor.
Autoritetet thanë se disa persona i kanë mbijetuar rrëzimit.
“Një avion që po kryente rrugëtimin Baku-Grozni u rrëzua afër qytetit Aktau. Avioni i përket kompanisë Azerbaijani Airlines”, tha ministria përmes një postimi në Telegram.
Azerbaijan Airlines, kompania kryesore ajrore e vendit, tha se avioni i llojit Embraer 190, ka bërë “një ulje emergjente” rreth 3 kilometra larg nga Aktau, që është një qendër e gazit dhe naftës në Detin Kaspik.
Mediat kanë raportuar se avioni i Azerbaijan Airlines ndryshoi rrugëtimin e tij për shkak të mjegullës në Grozni.
Ministria e Transportit e Kazakistanit tha se në bord ishin 67 pasagjerë dhe pesë anëtarë të ekuipazhit.
Sipas kësaj ministrie, në bazë të informacioneve fillestare, 25 persona kanë shpëtuar dhe 22 nga ta janë dërguar në spital.
Autoritetet në Kazakistan që citon REL thanë se ekipet kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur punën për të shuar zjarrin që kaploi avionin.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd