Një 56-vjeçar, i cili ishte shpallur i zhdukur që prej 30 nëntorit, është gjetur i pajetë.
Viktima është Edmond Veseli, banor i lagjes nr.2 të qytetit të Krujës. 56-vjeçari ishte denoncuar i zhdukur nga familjarët e tij, që kërkuan ndihmën edhe të qytetarëve për të gjetur të afërmin e tyre.
Bëhet e ditur se trupi i pajetë i Veselit është gjetur nga çobanët në vendin e quajtur Bruz Shkallë në afërsi të fushave të mejdanit. Nga të dhënat e para dyshohet se Veseli ka ndërruar jetë si pasojë e një arresti kardiak, por do jetë ekspertiza ajo që do të përcaktojë shkakun e vdekjes.
Edmond Veseli ishte parë për herë të fundit më 30 nëntor rreth orës 14:30, në afërsi të gjimnazit të Krujës. Edmond, ose siç njihet ndryshe “Edi i Derexhikut” (pasi shpesh viziton Pazarin e Vjetër), nuk është parë më nga kjo datë.
Familjarët e tij kanë bërë denoncim në Policinë e Krujës 24 orë pas humbjes së tij.
Pak ditë më pas ishte vëllai i tij, Altini, i cili ka bërë apel për ndihmë, duke kërkuar nga kushdo që mund të kishte informacion apo e ka parë Edmondin, të ndihmojë në lokalizimin dhe gjetjen e tij.
Sipas familjes, Edmondi nuk ka pasur probleme me shëndetin mendor dhe nuk ka pasur konflikte me askënd. Telefoni i tij ka qenë e fikur që nga 30 nëntori.
Në ditën e fundit kur është parë ai ishte i veshur me një xhup ngjyrë blu dhe pantallona ngjyrë bezhë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd