Rikthimi i virusit të Etheve të Nilit Perëndimor në vendin tonë u ka marrë jetën rreth 11 personave, kryesisht atyre mbi 65 vjeç.
Sinjalizimin për pacientin e parë të infektuar e dha shteti fqinj Greqi, kohë kur ku nisi edhe hetimi i zgjeruar epidemiologjik.
Në një intervistë për RTSH, shefja e kontrollit të sëmundjeve infektive në ISHP Silva Bino tha sot se rastet janë kryesisht nga zonat ku nuk është kryer edhe dezinsektimi.
“Rasti i parë u njoftua nga Greqia pas bashkëpunimit që ne kemi me Qendrën e Kontrollit të Sëmundjeve.
Ne bëmë hetimin tonë ku rezultuan në total 100 raste të konfirmuar me këtë virus. Këto raste janë kryesisht në zonat Fier, Lushnje por ajo që duhet të theksoj është se janë nga zonat kodrinore dhe jo nga ato bregdetare ku është kryer edhe dezinsektimi”, tha Bino.
Eksperienca e këtij viti me ethet e Nilit tregoi se programi i dezinsektimi duhet të jetë më i shtrirë dhe për këtë prof. Bino rekomandon që ky proces të mos kryhet më nga ISHP, por nga vetë bashkitë.
“Aktualisht procesi i dezinsektimit kryhet dhe monitorohet nga ISHP por infektimet këtë vit me ethet e Nilit perëndimor na treguan që ky program duhet të bazohet në pushtetin lokal, ku çdo bashki të ketë programin e vet të dezisketimit. ISHP duhet të kryejë vetëm monitorimin e këtij procesi”, tha Bino.
Në një takim të ngushtë në ISHP, ekspertët grekë nga Qendra Kontrollit të sëmundjeve prej të cilëve na u raportuan dy raste me ethet e Nilit, sollën përvojën e tyre në këtë drejtim.
“ISHP do të rrisë kapacitetet për të identifikuar virusin tek mushkonjat përpara se të shfaqet sëmundja tek njerëzit dhe një gjë të tillë e bën sot Greqia, vend me të cilin po shkëmbejmë eksperiencat edhe për këtë gjë por edhe për të ndërtuar programe të fuqishme të dezinsektimit me bazë pushtetin lokal, të gjitha këto në kuadër të rregullores ndërkombëtare të shëndetit që OBSH ka vënë si objektiv për vendet anëtare”, tha Bino.
Rreziku i shtuar nga Ethet Nilit, një rikthim pas 13 vjetësh në Shqipëri, tregoi edhe një herë se procesi i dezinsketimit ka nevojë të rishikohet dhe të ketë shtrirje më të madhe territoriale.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd