Transmetuar më 21-12-2024, 11:42

Ashtu siç u premtua, vetëm pak muaj pas bonusit të fundvitit, pensionistët do të kenë gati një tjetër shpërblim, vlera e të cilit u miratua një ditë më parë në një mbledhje të posaçme qeverie.

Vlera e 20 mijë lekëve pension mujor do të jetë përcaktuese edhe në këtë rast për të bërë diferencimin e shpërblimit të radhës. Kështu, ata me pension baras ose mbi këtë fashë do të përfitojnë 5 mijë lekë bonus, ndërsa pensionet më të ulëta do marrin 10 mijë. Mbi 6 miliardë lekë do t’i kushtojë buxhetit të shtetit ky vendim, ndërkohë që 2.2 miliardë të tjera do të shpërndahen për kategoritë më vulnerabël të shoqërisë.

Më konkretisht, personat që trajtohen me Ndihmë Ekonomike, Personat me Aftësi të Kufizuar (PAK), si dhe kujdestarët e tyre. Në rishikimin e tretë që i është bërë buxhetit, Këshilli i Ministrave vendosi të japë edhe 1.4 miliardë lekë shtesë për fermerët për të vijuar me pagesat për përfituesit nga Skema Kombëtare si dhe janë shtuar me 1.6 miliardë lekë fondet për pushtetin vendor për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura.

Këshilli i Ministrave në një mbledhje të posaçme ditën e enjte, miratoi Aktin Normativ për disa ndryshime në Buxhetin e Shtetit për vitin 2024, vendim të cilin e bëri publik të nesërmen. Përmes ministrit të Financave, Petrit Malaj, u dhanë me tepër detaje mbi vendimin në fjalë që u mor pas analizës së ecurisë së ekonomisë dhe treguesve fiskalë për periudhën janar – nëntor 2024.

“Në këtë prag fundviti, e gjithë vëmendja jonë shkon në mbështetje të shtresave më në nevojë, kryesisht pensionistëve dhe familjeve me të ardhura të ulëta. Do të shpërndajmë 2.2 miliardë lekë në formën e shpërblimeve të menjëhershme për disa nga kategoritë sociale më vulnerabël”, – deklaroi Malaj në një video të shpërndarë për mediat.

Sipas ministrit, konkretisht do të jenë përfitues të bonusit prej 15 000 lekësh të gjitha familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, Personat me Aftësi të Kufizuar (PAK), si dhe kujdestarët e tyre, ndërkohë që u ndal edhe te bonusi i pranverës, masa e të cilit u përcaktua me këtë akt nromativ.

“Nga ana tjetër do të vëmë në jetë premtimin për garantimin e bonusit të pranverës, duke siguruar krijimin e një llogarie speciale në Bankën e Shqipërisë, në mbështetje të pensionistëve në të cilën do të transferohet një fond prej 6,3 miliardë lekësh”, – njofton ministri, i cili shtoi se në pranverë do të përfitojnë bonus në masën 10 mijë lekë ose 100 euro të gjithë ata pensionistë, pensioni mujor i të cilëve është nën 20 mijë lekë dhe 5 mijë lekë ose 50 euro të gjithë ata pensionistë, vlera e pensionit mujor të të cilëve është mbi 20 mijë lekë.

“Me një fond shtesë në masën 1.4 miliardë lekë do të mbështesim fermerët, duke siguruar investim të vazhdueshëm për një nga sektorët më prioritarë të ekonomisë, bujqësinë”, – shtoi ministri teksa bëri me dije se do të alokohet një fond shtesë prej rreth 1,6 miliardë lekë për të mbështetur bashkitë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, si dhe për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve publike ndaj qytetarëve.

“Angazhimi i Ministrisë së Financave mbetet i pandryshuar për të siguruar edhe në vijim trajektoren rënëse të nivelit të borxhit publik në raport me PBB-në, si dhe për të garantuar konsolidimin fiskal e qëndrueshmërinë e ekonomisë në tërësi”, – nënvizoi ministri i Financave, Petrit Malaj.

Shpërblimet që do ndahen: 2.2 miliardë lekë në formën e shpërblimeve të menjëhershme për disa nga kategoritë sociale më vulnerabël. 15,000 lekë për të gjitha familjet që trajtohen me Ndihmë Ekonomike, Personat me Aftësi të Kufizuar (PAK), si dhe kujdestarët e tyre. 6.3 miliardë lekë për garantimin e bonusit të Pranverës, duke siguruar krijimin e një llogarie speciale në Bankën e Shqipërisë, në mbështetje të pensionistëve në të cilën do të transferohet një fond prej. Bonus në masën 10 mijë lekë ose 100 euro të gjithë ata pensionistë, pensioni mujor i të cilëve është nën 20 mijë lekë dhe 5 mijë lekë ose 50 euro të gjithë ata pensionistë, vlera e pensionit mujor të të cilëve është mbi 20 mijë lekë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit