Manchester City, tani ose kurrë. Kjo periudhë e fundvitit është e mbushur me angazhime. Pep Guardiola, trajneri i “Citizens”, po përpiqet të mbledhë copëzat e një periudhe të vështirë, pa rezultate pozitive, përfshirë ato në Europë.
Në prag të ndeshjes kundër Aston Villa, trajneri spanjoll zbuloi një dëmtim të minutës së fundit, Ruben Dias: “Do të jetë jashtë për tri ose katër javë. Ka pasur një dëmtim muskulor. Pas 75 minutash kundër Manchester United ndjeu diçka. Ai është aq i fortë, saqë qëndroi në fushë, por tani është i dëmtuar”.
Për rikthimin e Manuel Akanji dhe John Stones: “Manu dhe John kanë rifilluar stërvitjen gjatë dy ditëve të fundit, çka është diçka pozitive për ne”.
Për merkaton e dimrit dhe kontratat në skadim: “Nuk e di, këtë do ta shohim në fund të sezonit. Në fund të sezonit do ta analizojmë këtë lloj situate. Ajo që dua tani është që lojtarët e mi të rikthehen nga dëmtimet.
U besoj se skuadra është me të vërtetë e mirë, nuk është çështje nëse lojtarët janë të mirë apo të këqij. Kemi humbur dy figura të rëndësishme për pak kohë. Në fund të sezonit, klubi dhe unë do të vendosim se çfarë është më e mira për skuadrën”.
Për vështirësitë dhe si i përballon ato: “I menaxhoj momentet e mira, por gjithashtu menaxhoj mirë edhe momentet e vështira. Kam kaluar momente të vështira në karrierën time si trajner, por kemi arritur të ngrihemi. Tani po më merr më shumë kohë ringritja, mësoj nga kjo përvojë.
Kam pasur 40 ditë rezultate negative dhe po na kryqëzojnë. Është e vërtetë, por nëse i krahasojmë me 8 vite shumë më të mira… Mos harroni se kishim 8 vite të pabesueshme rezultative, ndërsa tani kemi 40-45 ditë negative”.
Për gjendjen e tij emocionale: “Jam mirë. Jam një person normal, me emocione, si të gjithë njerëzit. Kur situata shkon mirë, ndihemi më mirë. Kur nuk shkon mirë profesionalisht, jemi më të përqendruar te ajo që duhet të bëjmë”.
Nëse ka mësuar diçka nga humbja e Manchester City në “Villa Park”, në ndeshjen e fundit kundër Aston Villa: “Kur ata erdhën këtu, i mundëm 4-1. A duhet të analizosh çdo herë që humbet ose barazon? Ne fitojmë më shumë sesa humbasim. Sigurisht, kemi humbur atje, ata ishin dukshëm më të mirë. Kur erdhën këtu, ishim ne më të mirët. Pse duhet ta evokojmë atë që ndodhi atje? E shkuara është e shkuar. Ky është një moment i ri dhe duhet ta përballojmë”.
Për mënyrën si Aston Villa po menaxhon angazhimet në Premier League dhe Champions League këtë sezon: “Nuk jam i befasuar, sepse ka një trajner të nivelit të lartë, të shkëlqyer. Ata arritën sukses duke u kualifikuar në Champions League, edhe rezultatet në këtë kompeticion flasin vetë. Po e menaxhojnë më së miri angazhimin e dyfishtë”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd