Transmetuar më 20-12-2024, 18:18

Hysen, Amarildo dhe Hygerta Meta, tre fëmijët e të ndjerit Pëllumb Meta do të gjykohen nga Gjykata e Durrësit.

Prokuroria ka mbyllur hetimet dhe ka "kopsitur" dosjen në ngarkim të tyre, duke i akuzuar për disa vepra të rënda penale.

Dy djemtë dhe vajza vendosën në muajin Shkurt të vitit të kaluar që të vrisnin me armë zjarri babanë e tyre dhe më pas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, e groposën atë në kasollen e lopës. Trupi u zbulua pas më shumë se 10 ditësh.

Për Hysenin, djalin e madh të familjes Meta, Prokuroria e Durrësit ka ngritur akuzën "Vrasje me paramendim". Për të njëjtën vepër penale akuzohet dhe vajza, Hygerta, ndërsa djali tjetër Amarildo akuzohet për "Asgjësim të kufomës".

Kujtojmë që ngjarja e rëndë ka ndodhur më 10 shkurt. Ekzekutori ka qenë vëllai i madh i familjes, Hysen, i cili është arrestuar së bashku me vëllain tjetër Amarildo Meta, ky i fundit për bashkëpunim në vrasje.

Mirëpo, vajza Hygerta Meta vetë deklaroi në polici se ishte ajo autorja dhe se e kishte bërë vrasjen për shkak se babai ishte shumë autoritar dhe donte ta fejonte me zor, ndërsa kjo e fundit dëshironte që të ndiqte shkollën.

Ka qenë një nga djemtë e Pëllumb Metës që u paraqit pranë Komisariatit të Durrësit më 13 shkurt duke denoncuar zhdukjen e së atit. Që prej atij momenti blutë e qytetit bregdetar filluan kontrollet dhe fillimisht gjetën makinën e të ndjerit, të parkuar në aksin Shënavlash-Parku Rinia që ishte shumë larg nga banesa e tij.

Policia kishte dyshime se kishte të bënte me një ngjarje kriminale dhe nisi marrjen në pyetje të gjithë anëtarëve të familjes, nga ku më pas u zbulua se Pëllumb Meta ishte vrarë e groposur nga fëmijët e tij.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit