Interi i Simone Inzaghit siguroi një vend në çerekfinalet e Kupës së Italisë pas fitores 2-0 kundër Udinese, duke u përgatitur tashmë për përballjen me Lazion në vitin 2025.
Skuadra zikaltër hasi disa vështirësi në fillim të ndeshjes, por e zhbllokoi rezultatin në minutën e 30-të falë Arnautovic, i cili shfrytëzoi një gabim të rëndë të mbrojtjes kundërshtare.
Epërsia e dyfishtë erdhi në sekondat e fundit të pjesës së parë, ku Kristjan Asllani realizoi një gol spektakolar, direkt nga goditja e këndit. Në pjesën e dytë, Interi administroi rezultatin pa shumë vështirësi, duke mos e lejuar portierin Martinez të kishte ndonjë ndërhyrje të rëndësishme.
Taremi goditi shtyllën, por rezultati mbeti i pandryshuar, duke siguruar një fitore të merituar për zikaltërit. Një paraqitje solide e Interit, që vazhdon të tregojë formë të mirë në kompeticione të ndryshme dhe po shfaqet si një pretendent serioz për trofe. I aktivizuar si titullar në vend të Calhanoglu, mesfushori shqiptar u paraqit shkëlqyeshëm dhe realizoi një gol spektakolar. Pas ndeshjes, Asllani u shpreh kështu për “Mediaset”:
"Unë nuk kisha shënuar kurrë një gol direkt nga goditja e këndit. Gjëja më e rëndësishme ishte të fitonim. Jemi të lumtur sepse po vazhdojmë me rezultate pozitive dhe po përmirësohemi gjithnjë e më shumë.
Ai që ka më shumë rëndësi është grupi, i cili është fantastik. Kemi një kimi të shkëlqyer mes nesh në dhomat e zhveshjes, dalim shpesh bashkë dhe kjo krijon atmosferë pozitive, e cila pastaj na çon te rezultatet e kërkuara. Duhet ta falënderoj edhe Arnautovic për mbështetjen, është një nga ata që gjithmonë i ndihmon lojtarët e rinj. Ai është thelbësor për grupin".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd