Shkup- Zv/Kryeministri për Politikat dhe Sundim të Mirë në Maqedoninë e Veriut, Arben Fetai deklaroi se ish-zv.kryeministri shqiptar Artan Grubi fshihet në Shqipëri, pasi u shpall në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet maqedonase.
Sipas tij, Artan Grubi i arratis përmes Kosovës me një makinë diplomatike dhe më pas ka ardhur në Shqipëri për t’u fshehur.
Fetai, i cili ka mbajtur disi peshën e qeverisë në përgjigje për çdo akuzë ndaj Artan Grubit dhe BDI-së, i bëri thirrje ish/zv-kryeministrit që ta mbajë fjalën dhe të rikthehet në Shkup për t’u përballur me drejtësinë.
“Po, Artan Grubi është arratisur! Është arratisur me një veturë diplomatike përmes Kosovës dhe në bazë të informatave që i kemi ai gjendet në territorin e Republikës së Shqipërisë. I bëjmë thirrje Artan Grubit që të kthehet. Në vendin tonë si në çdo vend demokratik vlen prezumimi i pafajësisë derisa nuk është dëshmuar e kundërta, ndaj shfrytëzoj rastin edhe njëherë ti bëj apel ish-zv/kryeministrit Grubi që ti qëndrojë fjalëve të tij, të mos ikë nga drejtësia, të kthehet në vend dhe të dëshmojë atë që ka për të dëshmuar për aktakuzën që i është ngritur”, u shpreh Fetai në A2Cnn.
Më tej ai pranoi se nuk ndjen aspak gëzim për faktin se një shqiptar, pavarësisht ndasive politike, po akuzohet për korrupsion dhe është shpallur non-grata nga SHBA.
“Unë besoj që lajmet e ditëve të fundit në lidhje me futjen e Artan Grubit në listën e zezë amerikane janë lajm i keq për rajonit, janë lajm i keq për shqiptarët. Por megjithatë konfirmojnë atë gjë që është thënë nga atëherë opozita, tani qeveria e re e Maqedonisë së Veriut, nga ambasadorët e vendeve mike dhe partnerëve strategjikë të RMV-së, që në vendin tonë ekziston një epidemi korrupsioni dhe pandëshkueshmëria është kthyer në normë për shkak të ndikimeve politike në sistemin e drejtësisë”, tha Fetai.
Pavarësisht keqardhjes që shprehur, Fetahi nënvizoi se Artan Grubi në veçanti, por edhe BDI kanë shfrytëzuar pushtetin dhe ndikimin mbi drejtësinë për të ndihmuar një antishqiptar si ish-shefi i Shërbimit Sekret të RMV-së, Sasha Mijallkov.
“Arsyeja përse ish-zv/kryeministri Grubi është futur në listën e zezë, është sepse ka ndikuar drejtpërsëdrejti në sistemin e drejtësisë, përmes një gjykatësi shqiptar, i cili në mënyrë sistematike e ka organizuar vjetërsimin e lëndëve të ish-shefit të Shërbimit Sekret në vendin tonë, Sasha Mijallkov, një anti-shqiptar i përbetuar, njeri përgjegjës për raste të montuara politike kundër shqiptarëve dhe njeri kundër linjës pro-europiane të vendit. Pra BDI ka ndihmuar interesat thellësisht anti-europiane dhe anti-amerikane”, deklaroi ai.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd