Dy vite më pare (më 18 dhjetor 2022), Argjentina realizoi ëndrrën e saj, duke ngritur Kupën e Botës në Katar, pasi triumfoi ndaj Francës në një finale dramatike, e cila përfundoi me penallti.
Protagonistët e këtij suksesi historik, pjesë e ekipit të Lionel Scaloni, kanë rikujtuar disa nga momentet kyçe të atij dimri të paharrueshëm: Emiliano ‘Dibu’ Martinez (portier i Aston Villa), Lautaro Martinez (sulmues i Interit), Alexis Mac Allister (mesfushor i Liverpool-it) dhe Enzo Fernandez (mesfushor i Chelsea).
Biseda mes shokëve të Albiceleste u përqendrua te momenti historik i finales: parada e ‘Dibu’ Martinez ndaj Kolo Muani gjatë kohës shtesë. Ajo pritje, me këmbën e majtë dhe krahët e hapur për të mbuluar sa më shumë hapësirë, ruajti rezultatin 3-3 dhe i çoi argjentinasit drejt triumfit me penallti. Ai moment u konsiderua vendimtar dhe e bëri Martinez një nga heronjtë e finales.
"Ky është momenti më i bukur", – kujton ‘Dibu’ Martinez, ndërsa Lautaro përgjigjet me humor: – "E ke përmendur tashmë". Alexis Mac Allister shton: "E ke përmendur 50 herë, mjaft tani!"
Në një atmosferë plot të qeshura, Lautaro ironizon: "Ke shpikur 10 versione të ndryshme të asaj historie". Edhe Enzo Fernandez nuk mbetet pas, duke e ngacmuar shokun e tij: "Çfarë do të shpikësh tjetër?"
Pas momenteve gazmore, toni bëhet më serioz dhe Lautaro pranon: "Por, vërtet ishte çmenduri…" Alexis Mac Allister kujton një episod nga stoli: "Isha në pankinë, pasi më kishin zëvendësuar, dhe po ju them se askush nuk reagoi. Sikur të gjithë ishin të shokuar".
Martinez, në mënyrën e tij karakteristike, përfundon duke thënë: "Gjithsesi, kam bërë pritje më të mira në klubin tim".
Sidoqoftë, për tifozët argjentinas, ajo pritje mbetet e paharrueshme dhe simbol i triumfit të madh të Albiceleste.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd