Xavi Hernandez për stolin e Milanit. Lajmi që bëri xhiron e botës, pas spekulimit të publikuar nga gazeta spanjolle “El Nacional”, gjen vetëm pjesërisht konfirmime nga redaksia e ‘TuttoMercatoWeb.com’.
Është e vërtetë që profili i trajnerit katalanas vlerësohet shumë nga drejtuesit e kuqezinjve, madje edhe verën e kaluar, përpara se të vinte Paulo Fonseca. Sidoqoftë, duket se momenti nuk është ende i përshtatshëm për një kalim të menjëhershëm të tij te Milani.
Xavi Hernandez, në fund të tetorit u kontaktua nga Omar Berrada, drejtuesi spanjoll dhe CEO aktual i Manchester United. Në kohën kur aventura e Ten Hag po mbyllej, drejtuesit e “Djajve të Kuq” ishin duke menduar për pasardhësin e holandezit. Ish-trajneri i Barcelonës ishte zgjedhja e parë e klubit anglez.
Megjithatë, Xavi, pas ndarjes nga klubi i tij, kishte deklaruar se do të merrte një vit pushim, se nuk ishte i gatshëm të merrte përsipër ekipe në mes të sezonit. Nuk e ndryshoi mendjen as pas ofertës së Manchester United, që më pas u orientua drejt Ruben Amorim.
Ai nuk ka ndërmend, për pasojë, të pranojë të njëjtën gjë as për klube të tjera. Megjithatë, ideja e tij është të rikthehet në pankinë duke filluar nga vera e ardhshme. Prandaj, nëse Milani me të vërtetë dëshiron ta angazhojë atë, ka hapësira për ta bindur që të pranojë dhe të nisë një kapitull të ri në fund të këtij sezoni.
Për më tepër, negociatat nuk do të ishin të ndërlikuara me shumë ndërmjetësues. Xavi dhe Ibrahimovic e njohin shumë mirë njëri-tjetrin, pasi kanë luajtur së bashku te Barcelona në sezonin 2009-2010.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd