Transmetuar më 18-12-2024, 22:03

Boksieri i njohur Florian Marku është arrestuar në Gjermani në zbatim të një vendimi për shpalljen në kërkim.

Marku u ndalua dhe u prangos në Gjermani me qëllim ekstradimin në Greqi, raportohet mbi boksierin e njohur.

Mësohet se Marku është ekstraduar në Greqi sepse ishte shpallur person në kërkim mbi një incident të ndodhur shtatë vite më parë në Selanik.

Ai akuzohet për plagosje dhe armëmbajtje pa leje.

Për këtë ngjarje, Florian Marku kishte marrë një dënim penal në Selanik dhe ka vuajtur rreth një vit e gjysmë izolim në qeli.

Incidenti kishte përfshirë Markun në një lokal me disa rusë.

Rrëfimi i dhjetprit 2020

Marku ka rrëfyer për ‘Panorama Sport’ edhe kohën e tij të kaluar si i burgosur.

Boksieri shqiptar ka rrëfyer vështirësitë që ka pasur si i burgosur dhe arsyen e arrestimit të tij.

“Si tip impulsiv, jam përfshirë gjithnjë në problemet që ka pasur shoqëria ime, kështu që nuk më kanë munguar sherret në Greqi.

Nga sherret që bëja, kam përfunduar në burg. Pas një sherri që ndodhi në Greqi, kam qëndruar një vit e gjysmë në burg”.

“Burg kam bërë edhe në Austri, ku kam qenë në arrest për katër muaj dhe më pas më transferuan në Greqi, në burgun e Vedhatas në Selanik, ku kreva pjesën e mbetur.

Po ju tregoj rastin se si më arrestuan një ditë para ndeshjes.

Sapo shkova në shtëpi, në Linz, erdhën e më arrestuan. Të nesërmen, unë kisha ndeshjen, por Interpoli i Austrisë, në bashkëpunim me Interpolin grek, pas informacionit të marrë nga Greqia për vendndodhjen time, më arrestuan në Linz.

Më erdhi keq se isha në kulmin e karrierës. Nuk e prisja të më ndodhte kjo. Isha mjaft i njohur në Austri. Nuk më del nga mendja kur polici më tha: ‘Po ti çfarë bën këtu, unë kam prerë biletën për të parë ndeshjen?’. Kjo më kushtoi një vit e gjysmë jashtë ringut sa edhe fansat kujtuan se s’do rikthehesha.

Atje brenda ke shumë kohë të rrish me veten tënde dhe të mendohesh thellë. Jam penduar për gabimet. Nga burgu unë mësova të kem më shumë durim e të mos grindem shpesh. Burgu në Linz të Austrisë ishte shumë i keq, pasi vetëm një orë ajrim kishim në ditë.

Prej gati dy muaj e gjysmë kam qenë i vetëm në një dhomë 3×3 metra. Edhe pse isha i vetëm, unë stërvitesha atje në burg, pavarësisht se nuk kisha mjete stërvitore.

Në burgun e Selanikut kalova më mirë, pasi kishte kushte edhe për stërvitje. Kohën e kaloja duke lexuar libra. Drita e diellit aty ishte më e pranishme”, tha Marku.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit