Transmetuar më 18-12-2024, 13:07

A është karriera si futbollist e Karim Benzema drejt përfundimit? Sipas informacioneve të publikuara nga “Relevo”, sulmuesi francez 36-vjeçar, i cili luan për Al Ittihad, është gati të tërhiqet një vit përpara skadimit të kontratës.

Pra, jo në vitin 2026, kur skadon kontrata e tij me klubin saudit, por më 2025. Sipas raportimeve, ish-lojtari i Real Madridit është i lodhur nga rutina e përditshme në një ekip me më shumë dështime sesa trofe, sidomos pas sezonit të kaluar nën drejtimin e Marcelo Gallardo.

Nën drejtimin e Laurent Blanc, situata është krejt ndryshe, pasi Benzema është golashënuesi i dytë më i mirë i “Saudi Pro League” (10 gola), pas Aleksandar Mitrovic (12), dhe Al Ittihad kryeson kampionatin.

Vendimi për ta përfunduar karrierën nuk ka të bëjë me problemet fizike, por pozicioni i Al Ittihad ngre pikëpyetje, pasi klubi është i gatshëm të heqë dorë nga francezi për shkak të kostos së lartë të pagës së tij (100 milionë euro në vit).

Benzema, fitues i “Topit të Artë” më 2022, në moshën 36-vjeçare ka tashmë një projekt për të ardhmen. Atij pritet t’i besohet roli i ambasadorit të Real Madridit jashtë vendit, veçanërisht në botën arabe. Sipas “Relevo”, sulmuesi francez ka ruajtur marrëdhënie të shkëlqyera me presidentin e klubit spanjoll, Florentino Perez, i cili kishte një rol kyç në transferimin e tij nga Lyon në vitin 2009.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit