Çmimi “FIFA The Best Men’s Player 2024”, i ndarë mbrëmë në skenën madhështore të Dohas, në Katar, shkoi për Vinicius Junior. Braziliani mposhti Rodrin, fituesin e fundit të “Topit të Artë”, dhe shokun e skuadrës, Jude Bellingham. Deklaratat e Gianni Infantinos, të publikuara në rrjetet sociale për të shpallur fituesin dhe për ta uruar lojtarin e Real Madridit, kanë ngjallur diskutime, veçanërisht mes një pjese të madhe të tifozërisë spanjolle anti-Real Madrid:
“Urime yllit të Real Madridit dhe Brazilit, Vinícius Júnior, që u votua si lojtari më i mirë i FIFA-s për vitin 2024! Pavarësisht nëse bëhet fjalë për golat e tu, talentin tënd sulmues apo punën në ekip, ti ke sjellë gëzim për kaq shumë njerëz në mbarë botën dhe ke arritur suksese të mëdha në La Liga e Champions League me Real Madridin. Ti spikat gjithashtu si një model për shumë tifozë dhe lojtarë të rinj aspirues; mishëron vërtet shpirtin e lojës sonë të bukur".
Në Spanjë, Vinicius shihet si një nga protagonistët kryesorë në luftën kundër racizmit, por edhe si një futbollist që shpesh provokon tifozë të skuadrave kundërshtare. Gesti i fundit në Vallecas, gjatë derbit me Rayo Vallecano, përfundoi në qendër të kritikave vetëm disa ditë më parë. Për këtë arsye, komplimentet e Infantinos dhe përdorimi i fjalës "model" nuk janë pranuar nga disa.
Sidoqoftë, kreu i FIFA-s shpjegoi gjithashtu mënyrën e votimit që çoi në triumfin e Viniciusit: "Si gjithmonë, tifozët luajtën një rol kyç në zgjedhjen e fituesit, në një sistem votimi të baraspeshuar mes tifozëve, kapitenëve aktualë dhe trajnerëve të të gjitha skuadrave kombëtare, femra dhe meshkuj, si dhe përfaqësuesve të mediave".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd