Transmetuar më 17-12-2024, 14:16

Prindërit e Martin Canit i cili humbi jetën pak kohë më parë në ngjarjen e rëndë pranë shkollës “Fan Noli” i janë drejtuar me një letër ambasadës së SHBA në Tiranë.

Letra e familjes Cani i është drejtuar për dijeni edhe institucioneve shqiptare, presidentit, kryeministrit dhe kreut të opozitës Sali Berisha.

Në theksohet se ngjarja po tentohet të manipulohet me qëllim mbrojtjen e fajtorëve, gjë që nëna e Martinit e ka quajtur një “vrasje të dytë”.

Më tej ajo ka prekur me fjalët drejtuar të Ngarkuarës me Punë të SHBA.

“Ju lutem më ndihmoni duke ndjekur me seriozitet sjelljen dhe veprimet e institucioneve ligjzbatuese shqiptare që të zbardhin ngjarjen plotësisht, e të vënë para drejtësisë, të gjithë ata që janë përfshirë në krim të drejtpërdrejtë dhe ata që janë në mbrojtje të krimit.

Ne e dimë që Martini nuk kthehet më në këtë jetë mes nesh, por të paktën drejtësia mbi ata që më vranë dhe po më rivrasin djalin, do na japë mundësinë të jemi më të qetë e të fokusohemi të Henri, vëllai i Martinit, i cili nuk e di që Martini, nuk e sheh më, nuk e puth më, e nuk fle me të, si deri para 3 javësh”, shkruan ajo.

Letra e plotë:

Drejtuar Ambasadës së SHBA në Tiranë, të Ngarkuarës me Punë, Nancy VanHorn Presidentit të Republikës, Bajram Begaj Kryeministrit Edi Rama Kryetarit të opozitës, Sali Berisha

Me që po ju drejtohemi juve, jemi Angel dhe Florina Cani, prindërit djaloshit 14-vjeçar Martin Cani, që prej 3 javësh mungon në vatrën tonë familjare, pasi u vra në kohën kur ne besonim që e kishim të sigurt në shkollë, institucion që administrohet nga shteti shqiptar.

Ka mbi dy javë që po përjetojmë si një vrasje të dytë të Martinit, papërgjegjshmërinë e sjelljes së disa institucioneve shqiptare, për faktin që askush prej tyre nuk po merr përgjegjësi e të japë dorëheqje për shkak të paaftësisë së tyre që na shkaktuan humbjen e djalit. Dhe më e pabesueshme dhe e pafalshmja është që po na vrasin dhe neve si prindër si dhe Henrin, vëllanë e Maetinit me tentativën për të tjetërsuar e manipuluar, duke mos e zbardhur ngjarjen qëllimisht, vetëm e vetëm për të shpëtuar fajtorët, të cilët ndryshe nga Martini jetojnë mbi Dhe. E them këtë nisur nga informacionet që njerëzit përkrah meje kanë. Diskutimet dhe debatet që po bëhen nëpër studio televizive nga gazetarë të kronikës, prokurorë, avokatë, dhe ish-punonjës policie. Si dhe i frikësohemi edhe mënyrës sesi ka ndodhur në tragjedi të tjera ku autorët janë ndihmuar t’i shpëtojnë ndëshkimit.

Zonja Nancy!

Kam besim te ju si nëna e një djalit të mrekullueshëm dhe si përfaqësuesja e një Kombi që ka të shenjtë drejtësinë.

Ju lutem më ndihmoni duke ndjekur me seriozitet sjelljen dhe veprimet e institucioneve ligjzbatuese shqiptare që të zbardhin ngjarjen plotësisht, e të vënë para drejtësisë, të gjithë ata që janë përfshirë në krim të drejtpërdrejtë dhe ata që janë në mbrojtje të krimit.

Ne e dimë që Martini nuk kthehet më në këtë jetë mes nesh, por të paktën drejtësia mbi ata që më vranë dhe po më rivrasin djalin, do na japë mundësinë të jemi më të qetë e të fokusohemi të Henri, vëllai i Martinit, i cili nuk e di që Martini, nuk e sheh më, nuk e puth më, e nuk fle me të, si deri para 3 javësh.

Kam besim të Ju.

Me respekt e dhimbje në Shpirt

Angel e Florina Cani

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit