Transmetuar më 17-12-2024, 12:43

TIRANË- Pesë shqiptarë të Kosovës janë arrestuar sot në Rinas pasi tentuan të kalonin në kufi mbi 400 kilogramë barna të dyshuara kontrabandë. Në njoftimin e policisë thuhet se barnat do të përdorenin për përgatitjen e lëndëve narkotike.

Në pranga kanë përfunduar Ferhat Zenuni, Ardian Ismaili, Andi Grabanica, Altin Maqastena dhe Bekim Zenuni. Këtij të fundit iu gjetën dhe sekuestruan 300 mijë euro të cilat nuk i kishte deklaruar.

Sipas informacioneve dyshohet se 5 të arrestuarit do të futnin në Shqipëri dhe më pas në Kosovë, barna të blera në Jordani. Ndërkohë në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe 6 celularë.

NJOFTIMI I POLICISË:

DVP Tiranë

Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor në Departamentin Operativo-Hetimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, operacioni policor i koduar "Transit".

Arrestohen në flagrancë 5 shtetas kosovarë të cilët do të futnin në RSh, barna të dyshuara të kontrabanduara, që dyshohet se përdoren si preparate për përgatitjen e lëndëve narkotike.

Sekuestrohen 1 057 840 tableta (barna) të dyshuara të kontrabanduara (me peshë 417.1 kg), 300 000 euro të cilat njëri prej të arrestuarve nuk i kishte deklaruar në PKK Rinas, si dhe 6 celularë.

Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se në aeroportin e Rinasit, në hyrje të RSh-së, do të paraqiteshin disa shtetas të cilët në bagazhet e tyre dispononin mallra kontrabandë, menjëherë kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor në Departamentin Operativo-Hetimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, kanë finalizuar operacionin policor të koduar "Transit".

Gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë shtetasit kosovarë B. Z., 45 vjeç, F. Z., 34 vjeç, A. I., 23 vjeç, A. G., 20 vjeç, A. M., 21 vjeç.

Nga kontrolli i ushtruar në 14 valixhe (bagazhet e të arrestuarve), janë konstatuar 1 057 840 tableta (barna) të dyshuara të kontrabanduara, me peshë 417.1 kg, që dyshohet se përdoren si preparate për përgatitjen e lëndëve narkotike.

Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit B. Z., shërbimet e Policisë i gjetën 300 000 euro, të cilat ai nuk i kishte deklaruar në kufi.

Nga verifikimet e kryera dyshohet se 5 të arrestuarit do të futnin në Shqipëri dhe më pas në Kosovë, barna të blera në Jordani.

Medikamentet mjekësore, shuma 300 000 euro dhe 6 celularë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit