Transmetuar më 18-12-2024, 07:37

"Vendosa të largohesha nga PSG sapo mora ofertën për t’iu bashkuar Al Hilal. U largova nga kryeqyteti francez sepse thjesht nuk isha i lumtur atje, te PSG". Neymar Junior, në një intervistë për “RMC Sport”, zbuloi detaje mbi arsyet që e shtynë të braktiste Parisin, Kullën Eiffel dhe futbollin europian për të nisur një aventurë të re në Arabinë Saudite me Al Hilal, gjatë verës së vitit 2023.

"Klubi dhe trajneri (Luis Enrique) nuk më donin më. Kjo më ishte komunikuar më parë, ndaj më duhej të merrja një vendim. Oferta e Al Hilal më pëlqeu", – rrëfeu ish-ylli i Barcelonës. Duke folur për vendimin e tij drastik për të luajtur në “Saudi Pro League”, Neymar shtoi: "Më joshi klubi, kultura lokale dhe kampionati. U befasova shumë nga pritja që më bënë këtu, edhe nga mikpritja e tifozëve. Kampionati është në zhvillim, ashtu si edhe skuadra jonë. Bashkë me familjen time jemi të bindur se morëm vendimin e duhur".

Sulmuesi brazilian vazhdoi: “Unë gjithmonë kam dhënë gjithçka në fushë. Edhe pse nuk mbaj mëri, jam i trishtuar për mënyrën se si më kanë trajtuar tifozët. Vinin te shtëpia ime dhe përpiqeshin të hynin në pronë për të më fyer ose goditur. Sipas mendimit tim, ata e kishin kaluar kufirin. Gjithmonë i kam respektuar, por nga ai moment ndalova së treguari respect për ta, ishte vërtet e vështirë. Respektoj PSG-në dhe do të bëj gjithmonë tifo që të arrijë rezultatet më të mira. Megjithatë, më trishton mënyra se si u trajtova, edhe pse tani ka përfunduar dhe është një gjë që i përket së kaluarës”.

Aktualisht është duke u rikuperuar nga një dëmtim në kofshë, ndërkohë që sulmuesi i Al Hilal po përpiqet të rikthehet në formën që e bëri një nga lojtarët më të mirë mes Barcelonës dhe PSG: "Sigurisht, futbolli më pasionon. Jam dakord të them që periudha te PSG ishte ndoshta më e mira e karrierës sime. Por ishte gjithashtu shumë e trishtë për mua, sepse shpesh kisha dëmtime shumë serioze, që zgjatnin nga tre, katër deri në gjashtë muaj".

Duke reflektuar mbi dhimbjen e shkaktuar nga dëmtimet dhe momentet e paharrueshme me fanellën e PSG, Neymar theksoi: "Isha shumë i shqetësuar (gjatë kohës jashtë fushe), por në aspektin sportiv ishte Neymari më i mirë që kam qenë ndonjëherë në karrierën time. Jam i lumtur që i dhashë shumë futbollit francez, por nga ana tjetër, ndihem edhe i trishtuar, sepse nuk kam luajtur një sezon të plotë, përveç vitit 2020, kur arritëm në finalen e Ligës së Kampionëve. Ishte vërtet një vit fantastik, kur e kujtoj. Nuk do t’i harroj kurrë ato momente, janë të skalitura në zemrën time".

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit