Policia e Tiranës arrestoi katër persona të cilët akuzohen për shitje ekstazie në ish-Bllok.
Katër të rinjtë e arrestuar punonin në një portal lajmesh.
Ata kishin një zyrë në zonën e ish-Bllokut, të cilën dyshohet se e përdornin për shpërndarjen e lëndës narkotike. Kryesisht aktiviteti ushtrohej në zonën e ish-Bllokut.
Gjatë kontrollit në zyra janë gjetur dhe pajisje që përdoren për kultivim kanabisi. Grupi hetimor ka dyshime se të arrestuarit kultivon drogë në vende të tjera.
Sa i takon ekstazisë dyshohet se ata e siguronin përmes Kosovës dhe Serbisë.
Tiranë – Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në kuadër të një procedimi penal ndjekur me metoda proaktive, operacioni policor i koduar "Drug party".
Arrestohen 4 shtetas. Sekuestrohen 300 tableta të dyshuara narkotike ekstazi (MDMA).
Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në çdo formë të saj, në kuadër të një procedimi penal ndjekur me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar "Drug party".
Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit E. N., 18 vjeç, D. V., 18 vjeç, K. P., 19 vjeç, dhe M. Ç., 24 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.
Shërbimet e Policisë, kanë lokalizuar në rrugën "Pjetër Bogdani", shtetasit e larpërmendur dhe gjatë kontrollit fizik të tyre, iu gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 300 tableta të dyshuara narkotike e llojit ekstazi (MDMA).
Gjithashtu gjatë kontrollit të dyqanit të shtetasit E. N., në rrugën "Pjetër Bogdani", u gjetën e sekuestruan me cilësinë e provës materiale, disa pajisje elektrike të cilat dyshohet se përdoren për kultivimin të lëndës narkotike kanabis.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd