Zbulohet një bazë kineze e prostitucionit në Durrës. Finalizohet operacioni policor i koduar “Storm”, pas një hetimi 4-javor me metoda proaktive.
‘Specialistët e Sektorit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, pas një hetimi njëmujor me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Prostitucioni”, finalizoi operacionin policor të koduar “Storm”, i cili u zhvillua në lagjen nr.13, Plazh, Durrës.
Në kuadër të këtij operacioni:
-u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Guangtai Lin, 50 vjeç, lindur në Kinë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”;
-nisi procedimi penal për 7 shtetase nga Kina, për veprën penale “Prostitucioni”; Y. D, T. J, M. H, Q. Zh, W. F, J. Y. dhe H. Ch.
-u shpallën në kërkim shtetasi kinez Guangcheng Lin 47 vjeç organizator i grupit dhe Yanxia Zhang 45 vjeçe menaxhere e grupit, për veprën penale “Trafikimi i qenieve njerëzore”.
Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetaset kineze rekrutoheshin nga një grup i strukturuar kriminal, pjesë e të cilit janë shtetasit kinezë G. L. dhe Y. Zh., lindur dhe banues në Kinë.
Këta shtetas, në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë në Vietnam, ende të paidentifikuar, pasi i rekrutonin shtetase kineze në Kinë, i dërgonin për kryerjen e aktivitetit kriminal të prostitucionit në Shqipëri, ku siguronin apartamente dhe makina me qira për kryerjen e këtij aktiviteti.
Nga hetimet rezultoi se ky grup kriminal përfaqësohej në Shqipëri, nga shtetasi G. L., i cili bënte menaxhimin dhe kontrollin financiar të shtetaseve kineze që ushtronin aktivitetin kriminal në Shqipëri. Shumat e parave të përfituara nga ky aktivitet kriminal, ky shtetas i dërgonte tek shtetasja Y. Zh., që jeton në Bahrein, e cila bënte ndarjen e parave, 25% të fitimit i merrte për vete, 35% i merrte grupi që drejtonte aktivitetin kriminal nga Vietnami dhe 40% i merrnin vajzat e rekrutuara, si pagë, në bankë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shuma parash të përfituara nga prostitucioni, 13 celularë, 1 laptop, 1 fletore me shënime per vlerat monetare të përfituara dhe sende të tjera.
Maaterialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme’, njofton policia vendore.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd