Transmetuar më 17-12-2024, 09:19

TIRANË- Qeveria shqiptare do të emetojë për herë të parë në vitin 2025 obligacione me maturim 20 vjeçar. Ministria e Financave ka planifikuar të zhvillojë ankandin e parë për testimin e tregut në janar të vitit 2025, ndërsa në muajin mars është parashikuar edhe një rihapje e ankandit të muajit janar. Shuma e planifikuar për emetim në të dy ankandet është gjithsej 2.5 miliardë lekë.

Obligacionet 20 vjeçare do të jenë instrumenti më afatgjatë i emetuar nga qeveria shqiptare. Deri më sot, titujt më afatgjatë janë obligacionet 15-vjeçare, që u emetuan për herë të parë në nëntor të vitit 2021. Afërsisht tre vjet më vonë, Ministria e Financave ka vendosur të hedhë hapin e radhës në zgjatjen e maturitetit maksimal të instrumenteve të borxhit të brendshëm.

Zgjatja e maturitetit maksimal të borxhit është në parim një sinjal i forcimit të besueshmërisë së huamarrësit. Në vitet e fundit, treguesit e borxhit publik janë përmirësuar, falë ecurisë së mirë të ekonomisë pas pandemisë, forcimit të lekut në kursin e këmbimit valutor dhe një politike fiskale më konservatore, me deficite buxhetore më të ulëta.

Pasi arriti një nivel rekord prej më shumë se 74% të PBB-së në vitin 2021, borxhi publik ka ardhur në rënie të shpejtë gjatë viteve në vazhdim dhe në fund të vitit 2023 zbriti në 57.5% të PBB-së. Sipas vlerësimeve paraprake të Ministrisë së Financave në fund të 9-mujorit 2024 borxhi publik ishte sa 55.45% e PBB-së.

Ulja e borxhit bëri që agjencitë kryesore të vlerësimit të kreditit, S&P Global Ratings dhe Moody’s, gjatë këtij viti ta përmirësonin notën e borxhit Sovran të vendit.

Në dekadën e fundit, Ministria e Financave ka ndjekur një strategji të zgjatjes graduale të maturitetit të borxhit publik, me qëllim kryesor uljen e rrezikut të rifinancimit, por edhe përfitimin nga cikli i normave të ulëta të interesit.

Në fundin e muajit shtator 2024, maturiteti mesatar i instrumenteve të borxhit të brendshëm u rrit në 928 ditë, nga rreth 630 ditë që kishte qenë një dekadë më parë.

Paralelisht, një strategji e tillë është ndjekur edhe me Eurobondet që emetohen në tregjet ndërkombëtare. Eurobondi i emetuar në vitin 2021 arriti maturitetin më afatgjatë deri më sot për këto instrumente, me një horizont kohor 10-vjeçar.

Përmirësimi i treguesve të borxhit publik dhe i vlerësimit të borxhit Sovran, por edhe kthimet e kënaqshme në raport me rrezikun e investimit, kanë bërë që për herë këtë vit në tregun e brendshëm të obligacioneve të investojnë edhe investitorë institucionalë nga jashtë vendit. Deri tani, këta investitorë janë orientuar kryesisht në instrumentet me maturim afatmesëm, si obligacionet 3-vjeçare dhe 5-vjeçare.

Nga këndvështrimi i investitorëve, emetimi i obligacioneve 20-vjeçare krijon mundësi për të rritur më tej kthimet nga investimi në letrat e borxhit të qeverisë. Këto instrumente mund t’u shërbejnë sidomos investitorëve institucionalë, si për shembull fondeve private të pensionit.

Nga ana tjetër, shtimi i instrumenteve të borxhit me maturim më afatgjatë krijon më shumë premisa për të zhvilluar tregun dytësor të titujve, për t’i bërë këta tituj më likuidë./ MONITOR

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit