Transmetuar më 17-12-2024, 08:59

Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka kërkuar që ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, të dërgohet në paraburgim “sapo të arrestohet” si i dyshuar për përvetësim gjatë detyrës zyrtare. Ajo tha në një njoftim se masa e paraburgimit duhet të zbatohet “menjëherë pas lokalizimit dhe arrestimit” të Grubit, i cili besohet se ndodhet jashtë vendit.

Mëngjesin e 16 dhjetorit, Policia e Maqedonisë së Veriut tha se e bastisi shtëpitë e Grubit dhe ish-drejtorit të Lotarisë, Përparim Bajrami.

Në kuadër të hetimeve, dhe bastisjeve në lokacione të ndryshme, përfshirë shtëpitë e Grubit dhe Bajramit, janë siguruar prova që ngjallin dyshime se dy të akuzuarit, si persona përgjegjës në Shoqatën Aksionare, Lotaria Shtetërore, gjatë vitit 2023, kanë shkaktuar “dëme në buxhetin e Shoqatës në vlerë mbi 8 milionë euro, duke përvetësuar pasuri në mënyrë të kundërligjshme”.

Përvetësimi i pasurisë së paligjshme nga një zyrtar gjatë detyrës është i dënueshëm me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet, sipas Kodit Penal të Maqedonisë së Veriut.

Përveç Grubit e Bajramit, në mesin e të dyshuarve bëhet fjalë edhe për ish-kryeministrin maqedonas, Dimitar Kovaçevski.

“Kallëzimi penal u dorëzua në Prokurorinë Publike në Shkup… Njëri prej të cilëve është ish-kryeministër, njëri është ish-zëvendëskryeministër, njëri është ish-drejtor i një personi juridik, njëri është ish-sekretar i përgjithshëm, pjesa tjetër janë nëpunës shtetëror që punojnë te njëri nga personat juridik”, tha të hënën ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, gjatë një konference për shtyp.

Grubi dhe Bajrami nuk janë gjetur në asnjërën prej shtëpive të bastisura.

Toshkovski i bëri thirrje Grubit që të kthehet në vend.

“Do të doja t’i besoja kur tha se është i pastër si loti, madje i bëj thirrje të kthehet në Maqedoni (e Veriut) nëse akoma nuk është kthyer dhe të ju mundësoj institucioneve ta zhvilloj procesin hetimor dhe ta vërtetojmë drejtësinë”, tha Toshkovski.

Paraprakisht, Grubi njoftoi se nuk ka ikur, por se ndodhet jashtë vendit “për një vizitë private”.

“Kam udhëtuar me dokumentet e mia dhe sigurimi im personal policor është i njoftuar. Unë sapo t’i kryej obligimet, do të kthehem në shtëpi, pranë familjes. Ju lutem mos shpifni dhe spekuloni”, shkroi Grubi në një postim në Facebook.

Kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski, tha të hënën se Grubi në TV21, se ish-zëvendëskryeministri Grubi së bashku me një biznesmen janë larguar nga Maqedonia e Veriut në drejtim të Kosovës, me një veturë me targa diplomatike, gjatë ditës së diel.

Grubi, më herët, pas futjes në listën e zezë amerikane, njoftoi tërheqjen e tij nga jeta politike dhe publike.

Më 11 dhjetor, Prokuroria e Shkupit gjithashtu njoftoi se ka nisur hetim kundër Grubit, dhe gjykatësit të Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti, me qëllim që, siç tha, të vërtetojë nëse kanë përgjegjësi penale, pasi Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) i akuzoi ata se ishin “përfshirë në korrupsion të lartë dhe kanë pranuar ryshfet për të penguar” proceset gjyqësore lidhur me dënimin e Sasho Mijalkovit, ish-drejtor i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK).

Grubi e ka mohuar të ketë qenë i përfshirë në korrupsion.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit