Transmetuar më 16-12-2024, 21:15

Ish-presidenti sirian Bashar al-Assad ka thënë se nuk kishte plane të largohej nga Siria përpara se të evakuohej nga ushtria ruse pasi baza e saj në Sirinë perëndimore u sulmua.

Në komentet e tij të para që nga rënia e regjimit të tij brutal, Assad tha se kishte planifikuar të vazhdonte të luftonte forcat rebele.

“Në asnjë moment gjatë këtyre ngjarjeve nuk kam menduar të tërhiqem apo të kërkoja strehim, as nuk është bërë një propozim i tillë nga ndonjë individ apo parti.

E vetmja mënyrë veprimi ishte vazhdimi i luftës kundër sulmit terrorist”, tha ai në një deklaratë të publikuar sot në kanalin Telegram që i përket presidencës siriane.

Në deklaratë, Assad tha se u largua nga Damasku më 8 dhjetor ndërsa luftëtarët e opozitës avancuan, duke lëvizur në bazën ajrore Khmeimim të kontrolluar nga Rusia në bastionin e tij në provincën Latakia “për të mbikëqyrur operacionet luftarake”.

“Me mbërritjen në bazën ajrore atë mëngjes, u bë e qartë se forcat tona ishin tërhequr plotësisht nga të gjitha linjat e betejës dhe se pozicionet e fundit të ushtrisë kishin rënë,” shtoi ai.

Assad pretendoi se ai u evakuua në Rusi pasi baza ajrore ishte “vetë nën sulm të intensifikuar nga sulmet me dron”.

“Pa asnjë mjet të mundshëm për të lënë bazën, Moska kërkoi që komanda e bazës të organizojë një evakuim të menjëhershëm në Rusi në mbrëmjen e së dielës 8 dhjetor”, thuhet në deklaratë.

Assad dukej se hodhi poshtë raportet e mediave që pretendonin se ndihmësit dhe të afërmit e tij ishin mashtruar dhe nuk ishin në dijeni të planeve të tij për të ikur në Moskë. “Së pari, largimi im nga Siria nuk ishte as i planifikuar dhe as nuk ndodhi gjatë orëve të fundit të betejave, siç kanë pretenduar disa”, tha ai.

Në deklaratën e tij, Assad gjithashtu kërkoi të hedhë poshtë raportet dhe pamjet e përhapura që dokumentojnë korrupsionin e madh të familjes së tij, i cili ka dalë në dritë me detaje, që kur ai u largua nga Siria.

“Ripohoj se personi, i cili që në ditën e parë të luftës refuzoi të shkëmbente shpëtimin e kombit të tij për përfitime personale, ose të kompromentonte popullin e tij në këmbim të ofertave dhe joshjeve të shumta është i njëjti person që qëndroi përkrah oficerëve dhe ushtarëve në vijën e frontit, vetëm disa metra larg terroristëve në fushat e betejës më të rrezikshme dhe intensive”, tha ai.

Vendndodhja e saktë e Asadit në Rusi mbetet e paqartë dhe ai ende nuk është fotografuar. Familja e tij ka lidhje të gjata me Moskën, me të afërmit që kanë transferuar miliona dollarë në Rusi gjatë viteve.

Vladimir Putin nuk ka komentuar ende rënien e aleatit të tij të ngushtë, si dhe atë se çfarë do të ndodhë me fatin e dy bazave kryesore ushtarake ruse në Siri.

Pamjet gjatë fundjavës treguan një kolonë prej gati 100 automjetesh ushtarake që largoheshin nga zona e Damaskut, duke përfshirë automjete të blinduara. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse kjo përfaqëson një evakuim të plotë apo të pjesshëm.

“Nuk ka vendime përfundimtare për këtë”, u tha gazetarëve të hënën zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. “Ne jemi në kontakt me përfaqësuesit e forcave që tani kontrollojnë situatën në vend”, shtoi ai.

Ndërkohë, i dërguari i Kombeve të Bashkuara për Sirinë po vizitonte Damaskun të hënën, ku ai u tha militantëve islamikë që rrëzuan Asadin se ata duhet të mbikëqyrin një tranzicion “të besueshëm dhe gjithëpërfshirës”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit