Transmetuar më 16-12-2024, 19:02

Hetimet për atentatin që ndodhi ditën e djeshme në Athinë, ku mbeti i vrarë 47-vjeçari Irakli Davella dhe u plagos rëndë 46-vjeçari Edi Lulo, kanë marrë një kthesë të papritur. Sipas burimeve nga policia greke, objektivi i atentatit ishte Edi Lulo, i njohur me një identitet të ndërruar. Policia ka zbuluar se ai është i dënuar për një ngjarje të ndodhur në vitin 2011, kur u mbajtën peng disa avokatë në Dhomën e Avokatëve të Athinës dhe u grabitën 405,000 euro.

Lulo kishte qenë pjesë e një grupi kriminal dhe ishte dënuar për grabitje të tjera, përpara se të lirohej nga burgu dhe të riatdhesohej në Shqipëri. Ai jetonte së fundmi në Dubai, por më 9 dhjetor kishte udhëtuar në Greqi me emrin Edi Lulo. Ky emër ishte gjithashtu i përdorur dhe në Shqipëri, ku Lulo njihej për bizneset që kishte në Durrës.

Burime nga policia greke kanë thënë se janë mbledhur disa prova që mund të çojnë në identifikimin e autorëve të atentatit. Gjithashtu, janë marrë informacione nga autoritetet shqiptare për të kuptuar më shumë mbi aktivitetin dhe konflikteve të mundshme që lidhen me Edi Lulo.

Ngjarja ka ndodhur pasi Edi Lulo dhe Irakli Davella ishin duke pirë kafe me dy persona të tjerë. Dyshimet janë se atentati ka ndodhur kur ata po drejtoheshin drejt automjeteve të tyre, ku shpërthyen të shtënat. Njëri nga personat e pranishëm ka ikur nga vendi i ngjarjes dhe kërkohet aktualisht nga policia për të dhënë dëshmi.

Gjendja e Edi Lulos është shumë e rëndë, pasi ka pësuar plagë të rënda në kokë dhe bark.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit