Transmetuar më 16-12-2024, 13:24

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kërkon rikthimin në shtëpi të Sali Berishës. Mësohet se SPAK ka ankimuar vendimin e GJKKO që e liroi atë nga arresti.

Avokati i kreut të PD-së, Genc Gjokutaj, tha për mediat pas vendimit se Berisha nga ky moment “është i lirë dhe pa asnjë masë sigurimi ndaj tij”. Megjithatë ai shtoi se procesi ndaj klientit të tij ishte politik.

Përgjatë një viti gjykatat e të gjitha niveleve lanë në fuqi masën e arrestit shtëpiak, një masë që GJKKO e mori pasi Berisha refuzoi të zbatojë masën ‘detyrim paraqitje’, duke e cilësuar atë si antikushtetuese.

Ish-kryeministri është marrë i pandehur me akuzën “korrupsion pasiv” në tetor nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, dhe çështja ka shkuar në gjykatë për shqyrtim.

I pandehur për të njëjtën vepër penale është marrë edhe dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi, i cili akuzohet për përfitimin e të ardhurave në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt, falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit