Dusan Vlahovic përpiqet t’i qetësojë gjakrat pas përplasjes verbale të së shtunës mbrëma me tifozët e Juventusit, në përfundim të barazimit 2-2 kundër Venezias.
"E kuptoj zhgënjimin për rezultatet e fundit dhe keni të drejtë ta shprehni atë. Ju kam respektuar gjithmonë, duke dhënë gjithçka për këtë fanellë. Ju falënderoj për mbështetjen që na jepni çdo ditë. Tani është e rëndësishme të vazhdojmë të mbështesim ekipin dhe të rifillojmë të BASHKUAR", – shkroi sulmuesi serb në rrjetet sociale, duke shtuar hashtag-un e zakonshëm “#finoallafine”.
I zhgënjyer nga rezultati dhe ende nën tensionin e lojës, pas fishkëllimës së fundit, Vlahovic pati një reagim të ashpër dhe plot zemërim drejt tribunës juventine. Lojtari sqaroi se reagimi i tij ishte një përgjigje ndaj një individi që e kishte fyer dhe kërcënuar me vdekje, aspak një sulm ndaj pjesës tjetër të tifozëve të Juventusit.
Pas ndeshjes, trajneri Thiago Motta e komentoi episodin: "Para së gjithash, të gjithë duam më të mirën e Juventusit. Tifozët kanë lirinë të shprehin emocionet dhe ndjesitë e tyre. Dusan është i pari që dëshiron ta ndryshojë situatën, është një lojtar që e do jashtëzakonisht shumë ekipin.
Gjithçka që ndodhi duhet të kalojë përmes respektit, si në jetë, ashtu edhe në çdo punë tjetër. Nëse ka respekt nga të dyja palët, gjërat shkojnë në drejtimin e duhur. Të gjithë duam të njëjtën gjë: të mirën e Juventusit".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd