Transmetuar më 16-12-2024, 12:32

Pep Guardiola duket se ka në mendje një përforcim të veçantë për të zgjidhur krizën e Manchester City. Fjala është për Paul Pogba. Mesfushori francez, tashmë i njohur në Premier League për periudhën e gjatë te Manchester United, thuhet se është kontaktuar për të mbuluar mungesën e gjatë të Rodrit, i dëmtuar.

Lajmi publikohet nga “The Independent”, që kujton se Guardiola ka qenë një admirues i Pogba që në kohën kur ky i fundit luante për “Djajtë e Kuq”. Pogba, i cili ishte dënuar me 4 vite pezullim për doping, dënim i reduktuar në 18 muaj, do të mund të luajë përsëri nga marsi i vitit 2025. Në nëntor, ai zgjidhi kontratën me Juventusin, duke mbetur lojtar i lirë dhe i gatshëm të zgjedhë destinacionin e tij të ardhshëm.

Gazeta angleze thekson gjithashtu vështirësitë që City mund të hasë gjatë merkatos së janarit, për shkak të pasigurisë që lidhet me procesin e shkeljes së rregullave financiare të Premier League. Vendimi për këtë çështje pritet në shkurt.

Sipas burimeve britanike, vetë Pogba është hezitues për t’u rikthyer në Manchester, duke marrë parasysh eksperiencën e tij të kaluar te United. Ai preferon më shumë një rikthim në Serie A ose një eksperiencë të re në La Liga ose Bundesliga. Kohët e fundit është folur edhe për interes nga Arabia Saudite e MLS, por aktualisht nuk ka oferta konkrete për ta rikthyer Pogba në fushën e lojës.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit