SHBA – Senatori demokrat Richard Blumenthal ka bërë thirrje që dronët misterioz që janë shquar duke fluturuar natën, mbi zona të ndjeshme në Nju Xhersi dhe pjesë të tjera ndërmjet shteteve verilindore dhe juglindore të vendit, duhet "të goditen e të rrëzohen, nëse do të jetë e nevojshme". Por deri tani mbetet e paqartë se kush i zotëron avionët pa pilot, ose nëse janë vërtet të tillë.
Orët e fundit raportohet se mjetet fluturuese janë shfaqur edhe në Nju Jork si dhe Masaçusets, raporton noa.al duke cituar CBS.
"Ne duhet të bëjmë disa analiza shumë urgjente të informacioneve të inteligjencës dhe t’i heqim ato nga qielli, veçanërisht nëse fluturojnë mbi aeroporte ose baza ushtarake", tha të enjten senatori Richard Blumenthal ndërsa shqetësimet për dronët u përhapën në të gjithë Kongresin.
Persona të ndryshëm në rajonin e Nju Jorkut janë gjithashtu të shqetësuar se dronët po fluturojnë në të njëjtën hapësirë ajrore me linjat komerciale tha ai, duke kërkuar më shumë transparencë nga administrata Biden.
Shtëpia e Bardhë tha të enjten se pas një shqyrtimi të çështjes rezulton se shumë prej tyre në të vërtetë janë avionë me pilot që fluturojnë në mënyrë të ligjshme. Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se nuk kishte njoftime se objektet ishin parë në ndonjë hapësirë ajrore ku ndalohet fluturimi. Ai tha se Roja Bregdetare nuk kishte zbuluar ndonjë përfshirje të ndonjë vendi të huaj nëpërmjet anijeve.
"Ne nuk kemi asnjë provë për momentin që njoftimet për dronë të paraqesin një kërcënim për sigurinë kombëtare ose publike, ose kanë një lidhje me ndonjë vend të huaj", tha zoti Kirby.
Zëdhënësja e Pentagonit Sabrina Singh tha se ata nuk ishin dronë ushtarakë amerikanë.
Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar të enjten pasdite, FBI dhe Departamenti i Sigurisë Kombëtare thanë se ata dhe agjencitë partnere federalë, në koordinim të ngushtë me Policinë e Shtetit të Nju Xhersit, “kanë vendosur në punë personel dhe teknologji për të hetuar rreth situatës dhe për të konfirmuar nëse bëhet fjalë për dronë apo aeroplanë me pilot, apo thjesht për një pasqyrim të gabuar të asaj që persona të ndryshëm mund të kenë parë”.
Agjencitë thanë se nuk kanë vërtetuar asnjë nga njoftimet dhe se nga rishikimi i imazheve në dispozicion duket se shumë nga ata që janë njoftuar se ishin dronë, janë në të fakt avionë me pilotë.
Numri i personave që kanë njoftuar se kanë parë dronë është rritur ditët e fundit, por zyrtarët thonë se shumë nga objektet fluturuese mund të kenë qenë avionë dhe jo dronë. Po kështu ekziston mundësia që një dron i vetëm të jetë raportuar më shumë se një herë./ VOA
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd